Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot priti në një takim pune kryetarin e Shoqatës së zejtarëve ‘Esnafi’ Bejtulla Morina dhe kryesinë e kësaj shoqate që vepron në Çarshinë e Vjetër në Shkup.

Ministri Bekteshi tha se Çarshia e Vjetër e Shkupit është një ndër pjesët më të bukura dhe më të frekuentuara në kryeqytet, duke shtuar se vlerëson lartë kujdesin që tregon Esnafi për ruajtjen e trahsëgimisë kulturore, origjinalitetin, traditën dhe zejet e vjetra.

Ministri Bekteshi theksoi se vazhdimi i zanateve,  sidomos ato të vjetrat që nuk mund të gjenden në asnjë vend tjetër është shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye Ministria e Ekonomisë në suaza të Programit për zhvillim të turizmit dhe zejeve, për dy vite me radhë realizon projektin për regullimin e vitrinave në Çarshinë e vjetër të Shkupit.

Ministria e Ekonomisë është duke realizuar projektin për rregullimin e vitrinave të dëmtuara të dyçaneve, tha Bekteshi, me synimin që të kthehet pamja autentike e Çarshisë. Githashtu informoi se edhe këtë vit vazhdon subvencionimi i zejtarëve me një buxhet prej 1.6 milion denarëve.

Kryetari i Shoqatës së zejtarëve Esnaf, Bejtulla Morina falënderoi Ministrinë e Ekonomisë dhe ministrin Bekteshi për mbështetjen dhe informoi për aktivitetet që zhvillon kjo shoqatë.

Bekteshi dhe Morina u dakorduan që së shpejti të realizojnë bashkëpunimin për të krijuar një ambient sa më të mire për aktivitetet e zejtarëve në Çarshi si dhe ambient më të mirë për turistët e shumtë që vizitojnë këtë pjesë të Shkupit.