Agjenti i Lucas Biglias ka konfirmuar se “ka marrëveshje me Milanin” dhe se mesfushori ka kërkuar të largohet nga Lazio disa muaj më parë.
Problemi i vetëm qëndron te paratë. Lazio po kërkon 20 milionë euro, por Milani ka ofruar vetëm 15.
“Lucas ka biseduar me Lazion muaj më parë, duke ua bërë të ditur se ka vendosur të largohet nga Roma”, tha Enzo Montepaone për “Il Messaggero”.
“Ekziston një marrëveshje me Milanin dhe jemi duke pritur që dy klubet të arrijnë marrëveshje përfundimtare”, shtoi ai.
“E di se klubet janë duke diskutuar për të gjetur zgjidhjen e duhur, sepse ekziston edhe një ofertë nga Anglia, por nuk mund të them asgjë më shumë për atë”, u shpreh më tej agjenti i lojtarit.
“Milan dhe Lazio janë duke biseduar që të gjejnë një zgjidhje, javën e ardhshme do të jem në Itali dhe shpresoj se çdo gjë do të zgjidhet sa më parë”, përfundoi agjenti i Biglias.