Lëvizja Socialiste për Integrim përmbylli fushatën elektorale në qytetin e Fierit, ku fjalë mbajti edhe ish-kryetari i saj, njëherësh presidenti i zgjedhur, Ilir Meta.
Sipas tij, më 25 qershor, shqiptarët do të votojnë kundër oligarkisë, duke ju referuar këtu pushtetit të kryeministrit Edi Rama që siç Meta thotë, pati vetëm dy rrugë: Varfërimin e qytetarëve, dhe fuqizimin e bandave të krimit.
Meta sqaroi se jo më kot u zgjodh Fieri, qyteti për të mbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e së dielës, më 25 qershor.
“Jo rastësisht mitingun e fitores jo vetëm në Fier po në të gjithë Shqipërinë e lamë këtu në qytetin e Fierit, në kryeqendrën e socialistëve dhe të progresistëve.
Këtu janë të gjithë socialistët e ndershëm që u mashtruan nga partia. Janë të gjitha ata që nuk e pranojnë dot dhunën ndaj qytetarëve të Fierit, presionin për të mos votuar atë alternativë që ata duan.
Mavia e tmerruar nga braktisja mbarëpopullore për shkak të mashtrimeve pafund dhe ta pabesisë së pandershme, besoj se e dëgjuat që dje i bëri thirrje PD-së për ta ndihmuar.
Ata që para ca kohësh thonin mos votoni për LSI-në se do të bashkohet me PD-në, tani i luten PD-së aman na shpëto nga forca e parë.
Mavia do iki njëherë e përgjithmonë nga drejtimi i Shqipërisë, sepse përfaqëson një drejtim të vjetër, përjashtues sepse mavia është vetëm në shërbim të oligarkisë dhe biznesmenëve të vet.
Mavia ka shkatërruar biznesin e vogël me taksat e larta. Mavia me taksat e larta ka cenuar standardin e jetesës për mijëra e mijëra njerëz që çojnë shoqërinë përpara. Mavia i ka shpallur luftë shtresës së mesme në të gjithë Shqipërinë. Mavia lufton vetëm për 6-7 oligakrë dhe i do të gjithë shqiptarët të varfër, që ti blejë sa më lirë në 4-vjet me 50-100 euro ose me vende pune 1 mujore”, u shpreh Meta.
Meta kujtoi edhe rastin e dhunimit të një 18-vjeçari në Zharrëz pasi deklaroi se do të votonte për LSI-në.
“Këtu janë gjithë ata që e kuptuan se mavija punon për oligarkinë dhe xhepat e saj, ata që se pranojnë dot dhunën presionin për të mos votuar për alternativën që duan. Janë ata që dhuna ndaj një 18-vjeçari në Zharrëz, që u godit pabesisht nga kreu i mavisë atje në Zharrëz, me projektin e të 9-it në listë. Nuk mund të pranojnë fierakët se iu kujton dhunën që Berisha bëri në ‘94 në Libofsh. Ju nuk mund ti hipni fëmijët tuaj në një autobus me një shofer jo vetëm mavi por edhe mavri”, theksoi ish-kreu i LSI-së.