Me rastin e Ditës së Komunës së Gostivarit, 29 Qershorit, Komuna e Gostivarit ndau mirënjohje për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme që u shpallën nxënës gjenerate, si dhe nxënësit të gjitha komuniteteve që fituan vendet e para në gara të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

“Me rastin e Ditës së Komunës, vendosëm që të ndajmë mirënjohje për nxënësit e dalluar me sukseset e tyre.   Në mesin tonë kemi nxënës gjenerate, nxënës që morën çmime të para në gara lokale, regjionale, nacionale dhe ndërkombëtare. Numri i tyre është gati 130 dhe kjo tregon që një pjesë e madhe e nxënësve të qytetit dhe vendbanimeve tona kanë treguar suksese të mëdha. Kjo na bën që të krenohemi të gjithë Ne”, tha Kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta gjatë ceremonisë së mbajtur në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit.

Më vjen mirë, shtoi Kryetari Nevzat Bejta, që punët që i kemi bërë bashkë me mësimdhënësit, prindërit dhe drejtorët e shkollave, po na shpërblehen dhe ja tash i kemi edhe rezultatet e para.

“Kur Ju korrin suksese, ne krenohemi dhe nuk kursejmë as mjete financiare dhe as nga koha jonë për tu krijuar kushte sa më të mira. Uroj që nxënësit dhe profesorët e tyre që kanë punuar me mish e me shpirt, të vijojnë me sukseset e tyre”, vijoi tutje në fjalimin e tij, Kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta, i cili me këtë rast falënderoi  drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe mbi gjitha nxënës për angazhimin e treguar në procesin edukativo – arsimor.