Maqedonia ka një numër të madh të mediave por nuk ndan mjete të mjaftueshme të buxhetit për to. Në debatin për gjetjen e një modeli të përshtatshëm financiar për mediat në vend, autorja e analizës Vesna Nikodinovska  deklaroi se mos-përshtatja e ligjeve me nevojat e tregut mediatik, është ndër problemet më të mëdha të mediave në vend si dhe një arsye se pse në Maqedoni nuk nuk ka asnjë kompani mediatike ndërkombëtare.

“Asnjëra nga kompanitë në Maqedoni nuk është regjistruar se merret me biznesin mediatik si veprimtari bazë. Maqedonia ka një numër joracionalisht të madh në raport me territorin, popullsinë  dhe fuqinë ekonomike të tregut. E patjetërsueshme është shqitja e mediave nga shteti dhe pushteti që nënkupton se duhet të lihen të funksionojnë në pajtim me kushtet e tregut”, tha Vesna Nikodinovska.  

“Për momentin, “kulaçi” mediatik në Maqedoni është 17 milion euro mizerne të cilat nuk janë vetëm për pesë televizionet kombëtare por për të gjithë 66 televizionet, portalet, gazetat dhe radiot. Pesë televizionet nacionale nuk fitojnë asnjë denarë të vetëm nga operatorët kabllovik”, deklaroi Ivan Mirçevski, drejtori i Kanal 5.

Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar, deklaroi se, që biznesi mediatik të jetë i suksesshëm dhe për të pasur ndikim, nevojitet transparence për pronësinë dhe financimin e tyre.

Në tregje relativisht të vogla, biznesi i mediave dhe rregullatorët kanë një sfidë, kjo është mundësia që ju ofrohet për të pasur ndikim dhe për këtë është e rëndësishme që pronësia dhe financimi i mediave të jetë transparent – u shpreh ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.

Ministri pa resor, i angazhuar për çështjet e komunikimit dhe transparencës, Robert Popovski njoftoi se ligji i propozuar gjatë Marrëveshjes së Përzhinës për reformat në media, do të miratohet së shpejti.

Të ndërpritet taksa radiodifuzive që është detyrim për qytetarët dhe nga buxheti të ndahen mjete të mjaftueshme që do të mbulojnë nevojat e servisit publik. Kjo do ta lironte hapësirën që radiodifuzerët privat të munden që në përputhje me rejtingun dhe ndikimin e tyre dhe besimin e shikueshte, të fitojnë mjete në tregun e Maqedonisë – tha Robert Popovski, ministër për komunikimin dhe transparencën.

Kjo qeveri, sipas Popovskit, nuk do të harxhojë mjete të buxhetit për reklamim komercial./Alsat-M