Demokratja Majlinda Bregu ka dhënë një intervistë të gjatë përpara zgjedhjeve ku thotë ndër të tjera që i intereson PD-ja dhe jo individi ndaj dhe ka dalë në fushatë edhe pse askush nuk e ka angazhuar. Ajo e la të hapur mundësinë për të garuar për keyetare partie në korrik.

-E tejkaluat këtë shijen e hidhur do them unë të mos pranisë në listën e deputetëtve që do të votohet të dielën?

-Jo çdo e keqe vjen për keq. Edhe pse për mua nuk ishte një vendim aq i papritur, sepse kisha kohë që artikuloja problematikën që ishte prezent në Partinë Demokratike, por e rëndësishmë është që nesër do të bëhet më mirë.

T mobile In article [4] Laor

-E prisnit që nuk do të ishit në listën e PD?

-Unë të them të drejtën nuk i kam kursyer daljet publike, të paktën në vitin e fundit më të shpeshta, dhe e kisha gati të qartë duke e kuptuar se çfarë po ndodhte së brendshmi që do të mund të kishte mbase një kosto. Dhe ky është problem më i madh i partive politike sot në Shqipëri që ka të bëjë me demokracinë së brendshmi.

-Në seancën e së shtunës, në seancën e jashtëzakonshme të votimit të vetingut, iu kthye buzëqeshja, apo jo? Sepse u vërtetua ajo që ju thatë që këta të gjithë do ta votojnë vetingun.

– Në fakt ka një vit që të paktën, nuk kam patur pikën e dyshimit se pavarësisht se do të ishte një nga reformat më të vështira deri në momentin e fundit, me shumë rezistencë, do të votohej, pra nuk do të kishte asnjë kthim pas. Dhe nuk kam pse të mos buzëqesh dhe të mos ndihem mirë kur jam në koherencë të plotë me qëndrimet e mia dhe absolutisht në koherencë të plotë me ato që qytetarët shqiptarë kanë kërkuar dhe pritur për vite me radhë. Pra unë nuk e kam rezervuar veten për të thënë mendimin edhe vjet për reformën në drejtësi kur shumë mendonin e kishin pikëpyetje të mëdha se si do të ishte, çfarë do të ndodhte, a do të ishte drejtësia realisht e pavarur, a po bënim ndonjë gjëmë të madhe duke votuar reformën në drejtësi se mos me të vërtetë do t’ia falnim drejtësinë Edi Ramës, a ishte vetingu si thoshte kryetari i PD deri para një muaji një projekt mafioz i ndërkombëtarëve ndaj betohej se nuk do të votohej asnjëherë dhe kështu me radhë.

Prandaj jam shumë korrekte dhe s ‘kam pse të mos jem e kënaqur dhe në fakt kështu ka ndodhur; ato gjëra të cilat kam thënë, jo për t’i hequr vetes modestinë, por ato që kam thënë kanë ndodhur. Thashë PD do të hyjë në zgjedhje, nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet dhe Partia Demokratike është në zgjedhje.

-Kur PD nga çadra, nga ajo protestë e madhe 3 mujore shkon në shtrat me kundërshtarin, është në qeveri tashmë?

-Ky nuk është një vendim i PD, ky është një pakt mesnate i Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Sigurisht vendimi për të hyrë në zgjedhje ishte një kërkesë e të gjithë atyre të cilët sot nuk janë në listat për deputet të PD, por PD nuk kishte asnjë rrugë tjetër përveç pjesmarrjes në zgjedhje. Përndryshe do të ishte ekzekutimi i parë dhe i hapur i një force politike, një forcë politike nuk mund të tërhiqet nga zgjedhjet, pavarësisht se zgjedhjet zhvilloheshin në një atmosferë dhe klimë krejtësisht të papërshtatshme dhe pavarësisht se në zgjedhje nuk hyn asnjëherë me garancinë se do të jesh 100% fituesi. Por zgjedhja është përballja e domosdoshme dhe e pashmangshme.

-Zonja Bregu, përtej shijes personale se nuk jeni pjesë e listës, si iu duket lista e PD, mund të sjellë kjo listë fitoren?

-Unë nuk kam ndërmend të komentoj sot listën e PD, e kam thënë këtë gjë në ditën e parë të publikimit. Për mua, kjo është lista të cilës kryetari i PD i ka dalë për zot duke e cilësuar lista e fituesve. Ky është një vendim dhe po e përsëris qe i ka dalë per zot duke thënë është një vendim i imi personal. Unë do doja dhe besoj se kjo është një betejë që as fillon në zgjedhjet e 2017 dhe as nuk do të mbarojë pas datës 25 qershor që ka të bëjë me kthimin dhe respektimin e institucionit të partisë. Partia nuk është dhe nuk besoj se askush sot në 2017 pret që të ndodhë ajo që dikur komunistët thoshin për Enver Hoxhën, kur themi partia nënkuptojmë Enverin dhe kur themi Enveri nënkuptojmë partia.

Partia është një grupim njerëzish me kontribute dhe asetet e tyre ndër vite, duke respektuar sigurisht edhe ata që vendosin për t’iu bashkuar një force politike si rishtarë, dhe për mua ka rëndësi që PD, e përsëris të mbetet parti kryesore e shqiptarëve. Ajo parti që përmbysi sistemin e diktaturës në Shqipëri, ajo parti e cila ndahet dhe thellësisht mund ta bësh dallimin e qartë sot të një partie e cila vjen në pushtet dhe qeveris për të bërë reforma për qytetarët sikurse ka ndodhur me PD, dhe të një partie e cila merr pushtetin për të qeverisur dhe pasuruar veten apo një grup njerëzish afër siç ndodhi me qeverisjen e PS gjatë këtyre viteve. Nuk besoj se ka shqiptar sot që nuk e bën krahasimin e qeverisjes së kohës të PD me sot.

Sigurisht që unë jam më e prirur të vlerësoj, si pjesa më e madhe e qytetarëve rezultatet në mandatin e parë të qeverisjes tonë, por duke i afruar ato edhe më tej, të paktën deri në 2011 janë realizuar reformat ë mëdha për të cilat qytetarët nuk kanë se sit ë mos i kujtojnë sot. Dhe ne kemi detyrimin për t’ua rikujtuar, për të bërë dallimin; duke filluar nga liberalizimi i vizave, një njeri është tendencë humane që kur fiton diçka që e ka pritur prej shumë kohësh tenton ta harrojë se sa e vështirë ishte më parë; apo siguria që Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s, apo reformat në përmirësimin e infrastrukturës së vendit, apo edhe përpjekjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe biznesit shqiptar; gjëra të cilat sot pakkush kërkon t’i përmendë, madje nuk i ndjej dhe nuk i shoh të përmendura as nga përfaqësuesit e Republikës së Re. Por kjo është koha kur shqiptarët arrijnë ta bëjnë fare mirë dallimin; çfarë do të thotë të qeverisësh dhe ta përdorësh pushtetin për të ndihmuar dhe për të ndryshuar dhe për ta bërë vendin më të mirë dhe çfarë do të thotë ta kesh pushtetin vetëm për të forcuar pushtetin tënd personal

-Të paktën për dy nga këto arritje ka qënë Lulzim Basha përgjegjës kryesor
-Qeveria funksionon si ekip dhe unë di që ka qënë Kryeministër Sali Berisha dhe unë kam qënë Ministre e Integrimit.

-Ju është kërkuar të bëni fushatë për PD, jeni angazhuar në këtë fushatë?

-Ne, ose më mirë po flas në planin personal, them ne duke menduar një grup njerëzish që nuk janë në lista, dhe besoj që ka qënë e njëjta qasje për të gjithë, nuk na është kërkuar dhe nuk është ndjekur ai trendi që ndodh zakonisht para fushatave ku secilit i ngarkohet një zonë për të kontribuar, edhe duke mos qenë pjsmarrës në listë. Të paktën secili prej nesh dhe kur kemi qenë deputet kemi patur krah nesh të atashuar personalitete të PD të cilët vinin për të mbuluar dhe u ishte caktuar detyra për të mbuluar zona të caktuara. Nuk ka ndodhur kjo gjë këtë herë. Por unë nuk jam në PD për t’i bërë fresk asnjë individi dhe as për të kundërtën, që do të thotë që PD është partia që unë kam zgjedhur dhe partia në të cilën unë do të vazhdoj të jem, dhe askush nuk më ndal dot që të dal të bëj fushatë, të flas, të takoj njerëz dhe të dëgjoj njerëz; atë gjë për të cilën do të kisha dashur të ishim pak më shumë aktivë përfshirë edhe veten, por mesa duket rutina e të përditshmes, apo vorbulla e punëve dhe politika e madhe që na zë ndonjëherë, të vështirëson frekuencën e takimit të shpeshtë me njerëzit.

-Ju nuk u premtoni dot gjë se nuk keni gjë në dorë pas 25 qershorit, por cili është reagimi i tyre?

-Nuk besoj se të gjithë njerëzit presin vetëm premtime në fushatë, janë aq të zgjuar sa ta kuptojnë shumë mirë dhe kam përshtypjen se marrëdhënia më e mirë është marrëdhënia e drejtpërdrejtë me njerëzit. Jam tërësisht e prirur të besoj edhe pas kaq viteve se askush nuk harron asnjëherë atë se si e bën të ndjehet dhe marrëdhënia e drejtpërdrejtë është gjithmonë më e mira dhe më e sinqerta. Nuk ka nevojë që të bësh premtime me slogane dhe me parrulla.

– Çfarë dëgjoni nga qytetarët, besojnë ata se Rama me Bashën kanë bërë një marrëveshje për të qeverisur pas zgjedhjeve?

-Mua më intereson që PD të vazhdojë të mbetet forcë kryesore politike në vend, kjo është më e rëndësishmja. Nuk jam e prirur që pavarësisht analizave që mund të bëjë secili prej nesh që të dënoj apo komentoj diçka të cilën nuk e shoh të arrirë. Edhe sikur të ketë nevojë për një koalicion të madh nesër siç flitet, çfarëdolloj gjëje që mund të ndodhi duhet të jetë e bazuar në parime të sakta dhe jo në marrëveshje individësh. Unë i besoj kompromisit i cili vendoset mbi disa themele kur palët janë fituese të dyja bashkë, nuk i besoj diskutimeve, debateve apo pazareve të cilat bëhen vetëm për të mbyllur dhe për të siguruar të ardhmen e individëve. Prandaj kur bëhet fjalë për forca politike ka një tjetër qasje, thënë kjo më intereson që qytetarët të arrijnë të dëgjohen dhe të kem mundësi të bisedojnë me ta se sa të diskutoj vendimet e mëdha të së nesërmes të cilat do të shihen pas datës 25, nuk është shumë larg.

-Do ta shpëtonte një marrëveshje Rama-Basha, Lulzim Bashën nga një dështim në zgjedhjet e 25 qershorit?

-Pas datës 25 qershor, pasi të votohet; në datën 26 ne të gjithë do të jemi pas një nate besoj të pagjumë ; ju në transmetim dhe ne për të ndjekur përcjelljen e kutive për tu numëruar, do të kemi kohë për të folur për të gjitha të tjerat. Por e përsëris unë nuk shqetësohem për fatin e individëve, flas pë ride dhe flas për shtresa, për qytetarë edhe për sitemin e për vlerat e parimet në përgjithësi. Nuk shqetësohem për fatin e individëve.

-Por a është në dorë të individëve PD sot?

-Ndaj e nisa dhe pak më parë. PD është kontribut i atyre që kanë qënë e sot mund të mos jenë më në PD, por që vazhdojnë të jenë mbështetës dhe votues të PD; i atyre që janë aktualisht anëtarë të PD; i atyre që janë bërë së fundmi ose ende nuk janë bërë anëtarë të PD, por janë në listat e PD; dhe i të gjithë atyre që do ta mbeshtesin PD edhe në të ardhmen; nuk është rezultat dhe kontribut i një individi. Përsa i përket vendimarrjes së 25 qershorit unë nuk kam pse të bëj asnjë koment tjetër përveç atyre që Zoti Basha i thotë vetë; është vendimi im, që do të thotë që rezultati do të jetë po i tij.

-I mungon Sali Berisha kësaj fushate elektorale?

-Besoj që edhe Sali Berishës i mungon fushata. Unë besoj që PD do të jetë partia më e mirë dhe Shansi më i madh për shqiptarët.

-Do t’i nënshtrohet votimit në parti Basha?

-Kemi zgjedhjet në korrik, ky nuk është lajm, nuk është e re, le të presim datën 25 qershor. Dhe më lejo meqënëse nuk do të kem mundësi për të folur nesër që t’ju bëj një thirrje të gjithë qytetarëve dhe atyre që mendojnë se politika u është larguar pritshmërive të tyre për tu zgjidhur halle dhe probleme, edhe atyre që janë më mosbesues se politika sjell ndryshim apo atyre që janë tërësisht apatikë dhe mendojnë se politikanët janë të gjithë ose të korruptuar o të gjithë kriminelë, o mendojnë vetëm për veten e tyre; ose janë një tufë mediokrish të cilëve në një moment të caktuar u jepet Shansi për të qenë diku dhe pastaj vishen me aliazhin e të mencurit, e të bukurit, e akademikut, të plotit, të riut e kështu me radhë; që të dalin të votojnë ditën e dielë. Nuk ka asgjë më të keqe se sa një fletë votimi bosh dhe nuk ka asgjë më të mirë se sa shprehja me votë e dëshirës apo mos dëshirës për të votuar një forcë politike.

-Mund të jetë Majlinda Bregu përballë Lulzim Bashës në garën për kreun e PD?

– Po flas për 25 qershorin, kjo për mua është dita më e rëndësishme dhe i bie të jetë 48 orë më pas. Kjo është gjëja më e rëndësishme, PD ka rëndësi, jo individët.