Lidhja Social Demokrate, nëpërmjet kumtesës së dërguar sot ka bërë të ditur se kurdisjet e tenderave të VMRO-DPMNE-së, dëmet e shkaktuara ndaj autostradave, shkollave, spitaleve dhe së fundmi ndaj stadiumit ku do të mbahet Superkupa e UEFA-s, do ta dëmtojnë buxhetin e Maqedonisë për 2 milionë euro.
“Qeveria e udhëhequr nga LSDM aktivisht është duke punuar në përmirësimin e dëmeve të shkaktuara nga VMRO-DPMNE-ja. Do të sanohen dëmet e autostradave dhe do të përfundojnë të gjitha detyrimet ndaj stadiumit dhe do të ketë Superkupë të UEFA-s në Shkup. Ky keqpërdorim i qeverisjes paraprake dhe Shoqërisë Aksionare, Maqedonisë do t’i kushtojë 2 milionë euro”,thuhet ndër të tjera në kumtesën e LSDM-së.
“Nëpërmjet kurdisjeve të tenderëve si ajo me shërbimet fabrikore dhënë ndërmarrjes nën pronësi të vëllaut të deputetit Kërsto Mukoski, nëpërmjet huave të larta ndaj shkollave dhe spitaleve, nëpërmjet punësimeve partiake pa ndonjë kualifikim arsimor të përshtatshëm dhe me honorare të mëdha për ushtarët partiak, VMRO-DPMNE-ja 11 vjet ka varfëruar qytetarët dhe ka shkatërruar institucionet”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.