Zjarri në kullën “Grenfell Tower” është shkaktuar nga një frigorifer dhe veshja e ndërtesës nuk ka mundur të kalojë testet e sigurisë së kryera pas tragjedisë. Kështu është shprehur zyrtarja e policisë Fiona McCormack në një konferencë shtypi në Londër.

Policia e kryeqytetit britanik ka vlerësuar mes akuzave të mundshme, edhe atë për zjarrvënies së qëllimshme, ku humbën jetën të paktën 79 persona, ndonëse druhet se bilanci i viktimave mund të rritet.

Modeli i frigoriferit nga ku shpërtheu zjarri është një “Hotpoint FF175BP” dhe ekspertët po kryejnë testet e rastit për të mësuar më shumë të dhëna mbi atë që ka ndodhur. Ndërkohë, ato që nuk kanë kaluar kontrollin e sigurisë pas zjarrit, kanë qenë si materiali izolues, ashtu edhe ai i përdorur për veshjen e grataçelës.

Testet paraprake, ka shtuar McCormack, “tregojnë që kampionët e izolantit të mbledhura në kullë, kanë marrë flakë menjëherë pas nisjes së vetë testeve”.

Menjëherë pas tragjedisë, disa dëshmitarë kishin deklaruar që sipas një banori, zjarri ishte shkaktuar nga një pajisje e tij elektro-shtëpiake difektoze. Policia më pas ka nënvizuar që testet e sigurisë, kanë qenë të “shkallës së ulët”, por kanë lejuar të verifikojnë që veshja me funksionin izolues të kullës, ishte e djegshme, ashtu siç u dyshua.

Vijojnë ndërkohë edhe kontrollet në ndërtesat e tjera të larta me karakteristika të ngjashme si “Grenfell Tower” në Londër dhe në pjesën tjetër të vendit: në të paktën 11 raste, janë gjetur struktura në rrezik ku jetojnë qindra persona dhe disa media britanike, pohojnë që banorët mund të shpërngulen prej andej.