Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemin politik, Hazbi Lika, sot u takua me ambasadoren e Austrisë në vendin tonë, Renate Kobler.
Struktura e re qeveritare dhe prioritetet që parashikon kjo qeverisje ishin fokus i kësaj bisede të parë të realizuar mes zëvendëskryeministrit Lika dhe ambasadores austriake Kobler.
Respektimi i normave që dalin nga Marrëveshja e Ohrit duhet të jetë prioritet edhe i palës maqedone, meqë mosrespektimi i këtij dokumenti paqësor rezulton drejtprëdrejt në moszbatimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, theksoi zëvendëskryeministri Lika. Vullneti pozitiv i këtij koalicioni, shtoi ai, duhet të shfrytëzohet maksimalisht për të realizuar çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, e cila është prioritet i joni. Miratimi i ligjit të gjuhës dhe implementimi i detyrueshëm i tij, do të jetë në favor të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
Ndërkaq ambasadorja Kobler theksoi se Austria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e denjë e komunitetit shqiptar dhe Republikës së Maqedonisë. Ambasadorja austriake tha se punohet vazhdimisht në sferën e tërheqjes së investimeve austriake në Maqedoni, me qëllim që të arrihet një rimëkëmbje me stabile ekonomike, si dhe në mbështetjen e tyre për anëtarësim të shtetit sa më të shpejtë në strukturat euroatlantike.