Nga shtatori Liga e Kampionëve do të transmetohet falas në Facebook

Ky shërbim do t’u ofrohet vetëm amerikanëve dhe mundësohet falë marrëveshjes së arritur me kompaninë Fox Sports, që zotëron ekskluzivitetin e transmetimit të garës më të madhe në botë për klube.

Ideja lindi pas finales së madhe të Cardiftit ndërmjet Juventusit dhe Realit të Madridit, ku mbi 80 milionë njerëz reaguan përmes diskutimeve, pëlqimeve dhe postimeve për këtë ngjarje vetëm në SHBA.

Marrëveshja parashikon që Facebook të transmetojë falas për të gjithë amerikanët dy ndeshje në ditë gjatë fazës së grupeve, katër në 16-she dhe katër nga fazat pasardhëse.

“Facebook ka komunitetin më të madh të tifozëve të futbollit dhe kjo marrëveshje do të mundësojë që Champions League të shihet edhe nga ata që nuk kanë mundësi ta shohin në televizor.

Përveç kësaj, Facebook ka edhe marrëveshje me MLS dhe ligën meksikane për të transmetuar ndeshjet e kampionateve respektive në të njëjtën formë.