Ashtu siç e kemi thënë qysh në zgjedhjen e qeverisë, Lëvizja BESA vazhdon të mbetet opozitë konstruktive. Ne nuk ishim KUNDËR qeverisë, por e ruajtëm të drejtën tonë demokratike që të jemi të përmbajtur, duke dhënë kështu mesazhin se dëshirojmë të shohim suksese të kësaj qeverie. Megjithatë, nëse dita e mirë shihet në mëngjes, gjithnjë e më shumë po bindemi se kemi pasur të drejtë që nuk e kemi mbështetur këtë qeveri.

Sidoqoftë, në frymë të konstruktivitetit tonë, ne nuk jemi pjesë e debatit për zgjedhjen e zëvendësministrave, duke dashur që sa më shpejt të bëhet etablimi i kabinetit qeveritar. Jo që nuk kemi çfarë të themi për ato kuadro, jo që nuk kemi çfarë të themi për rëndësinë ose, më saktë, rolin e parëndësishëm që e kanë zëvendësministrat në qeveri, por duam që kështu të dëshmojmë se jemi të interesuar që qeveria sa më shpejt të kompletohet dhe të presim rezultate prej saj.

Duke e ditur se cila është pesha e zëvendësministrave, si dhe në frymë të qëndrimit tonë për qeverinë, ne edhe për këtë propozim të kabinetit qeveritar do të jemi TË PËRMBAJTUR, duke mos dashur t’i paragjykojmë.