Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në vazhdimin e seancës së pestë e filloi debatin për përzgjedhjen e zëvendësministrave në Qeveri.

Kryeministri Zoran Zaev në fillim para deputetëve e kumtoi listën me kandidatë për zëvendësministra, duke theksuar se bëhet fjalë për personalitete të njohur, profesionistë dhe politikanë. Zaev tha se ka pasur mirëkuptim për prolongimin prej disa dite të zgjedhjes së zëvendësministrave për të pasur kohë të mjaftueshme që deputetët t’i shqyrtojnë propozimet.

Kandidatët e propozuar, siç theksoi, e dinë përgjegjësinë e tyre, se do të marrin për obligim ta kryejnë me përgjegjësi funksionin duke u udhëhequr nga Kushtetuta dhe ligjet dhe nga interesi i përgjithshëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Për zëvendësministër të Mbrojtjes është propozuar Bekim Maksuti, për zëvendësministër të Punëve të Brendshme Agim Nuhiu, i Drejtësisë Oliver Ristovski, zëvendësministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme Arta Toçi, e Financave Shiret Elezi, ndërsa i Ekonomisë Kire Naumov.

Vllaste Dimkoviq është propozuar zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Goce Çakarovski i Shëndetësisë, Visar Ganiu i Arsimit dhe Shkencës, Elmi Aziti i Punës dhe Politikës Sociale, Dejan Pavleski i Vetëqeverisjes Lokale, Vlladimir Lazovski i Kulturës. Aleksandar Bajdevski i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Remzi Mehmedi i Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa Jani Makraduli i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Kryeministri Zaev theksoi edhe se Qeveria e tij do të orientohet ndaj reformave dhe udhëheqjes së procesit inkluziv përmes përfshirjes së opozitës, qytetarëve, bashkësisë akademike. Theksoi se aktivitetet orientohen në dy drejtime: reforma dhe përparim i jetës së përgjithshme të qytetarëve të RM-së.

“Është e domosdoshme që Qeveria të dijë se Parlamenti është ai që e zgjedh Qeverinë dhe i krijon politikat kryesore dhe qeveria është e obliguar ta respektojnë Kuvendin”, tha Zaev.

Përveç përzgjedhjes së zëvendësministrave, në seancën e 5-të duhet të shqyrtohen edhe raportet vjetore të disa institucioneve. Deputetët duhet të deklarohen edhe për iniciativën e parashtruar nga 217 qytetarë për ndryshim të Ligjit për marrëdhënie të punës, me të cilën kërkohet vazhdim i pushimit të lindjes prej 9 në 18 muaj. f