Dy vite pa kryer asnjë blerje është një e dhënë që e bën Athletic Bilbaon një klub unik. Askush si ata në Europë dhe pavarësisht se nuk shpenzon në merkato, klubi bask arrin të kualifikohet rregullisht në kompeticionet europiane.

Filozofia speciale për të luajtur vetëm me futbollistë që dalin nga akedemia “Euskal Herria”, e bën Bilbaon e një klub të veçantë. Ata identifikohen vetëm me lojtarë bask dhe ky fakt i afron më shumë me tifozët, pasi fansat ndihen më afër skuadrës dhe futbollistëve.

Bilbao u jep shumë përparësi lojtarëve të rinj dhe kjo është një nga arsyet që Athletic nuk bën blerje. Bilbao ka plot 667 ditë që nuk ka bërë asnjë blerje, madje afrimi i fundit daton në fillim të korrikut të 2015-tës, kur presidenti Jose Urrita bënte shpenzimin më të madh në të gjithë historinë e klubit duke blerë nga Atletico Madridit, Raul Garcian për 10 milionë euro.

Që nga ajo periudhë te Bilbao nuk është afruar asnjë futbollist, pasi akademia ka vazhduar të prodhojë elementë cilësorë. Talenti më i fundit që ka nxjerrë Bilbao është Inaki Williams, i cili aktualisht është impenjuar me përfaqësuesen e 21-vjeçarëve të Spanjës në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Poloni.

Iker Munian është një tjetër yll ashtu si edhe Markel Susaeta, edhe pse të dy kanë humbur shumë nga shkëlqimi i dikurshëm.

Ndërkohë, dy largimet e bujshme nga Bilbao në 5-vjeçarin e fundit janë ato të Fernando Llorentes që u transferua te Juventusi me parametër zero, por edhe Ander Herrera që kaloi te Manchester United për rreth 35 milionë eurosh përpara 2 vitesh.

Sipas të gjitha gjasave edhe kjo merkato nuk do të sjellë asnjë afrim të ri te Bilbao, pasi presidenti Jose Urrutia i ka të qarta idetë dhe është i kënaqur me futbollistët që ka aktualisht në dispozicion.