Zëvendëskryeministri në largim i Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka thënë se as ai e as deputetët tjerë të LDK-së nuk do ta votojnë qeverinë e koalicionit PDK-AAK-NISMA (PAN).
Ai ka mohuar se do të ketë “kontrabandime të votës”, duke shtuar se PAN-i nuk i ka numrat për të krijuar qeverinë, për çka po bën luftë speciale për të arritur te to.
Kelmendi ka thënë në televizionin Rrokum se deputetët e LDK-së e dinë se janë sanksionuar si parti, pikërisht për shkak të koalicionit me PDK-në.
“E, ky sanksionim mundet me ndodhë prapë”, ka thënë ai, duke mos e mohuar mundësinë e qëndrimit të LDK-së në opozitë.
“Po presim certifikimin e rezultateve, e pastaj Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së do të dalë me një vendim”, ka shtuar ai.
Kelmendi ka vlerësuar se PAN-in e ka bashkuar hidhërimi dhe se shpejtë do të ndahet, ndërsa për Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë se ka politika komuniste.