Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami sot do të takohet me kryeministrin dhe liderin e LSDM, Zoran Zaev. Lajmi bëhet i ditur për gazetën Lajm, e cila thekson se takimi vjen në kohën kur janë kthyer turbulencat në skenën politike në Maqedoni, pasi Prokuroria Speciale Publike vendosi te ngrejë padi dhe të kërkojë arrest për funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të saj, BDI dhe PDSH.
Zaev ka gjasa të kërkojë sërish mbështetje nga Lëvizja Besa për shumicën parlamentare, sepse VMRO-DPMNE ka filluar ta shantazhojë këtë shumicë, përmes eksponentëve të kapur që ka në BDI, te Aleanca por edhe te disa parti më të vogla.
Por dy ditë më parë Kasami nuk shkoi në takimin e krerëve të partive shqiptare të thirrur nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Lëvizja BESA arsyetoi se takimet nëpër hotele nuk janë të nevojshme, por duhet që çështjet të shtrohen në institucione. (INA)