Policia e Vlorës i ka quajtur të pavërteta akuzat e LSI-së së Sarandës se dy kandidatë për deputetë të PS-së po blejnë vota në Konispol dhe Sarandë, në bashkëpunim me policinë.

Konkretisht, furgoni i policisë që u përmend të prononcim, ka kryer shpërndarjen e efektivëve të përcaktuar për kryerjen e shërbimit të ruajtjes së qendrave të votimit dhe më pas është parkuar sipas planizimit larg QV, në Shkallë të Konispolit, njofton Policia.

Reagimi i Policisë

Në lidhje me prononcimin e bërë nga Subjekti Politik LSI, dega Sarandë, ku sipas tyre Subjekti Politik PS është duke blerë vota në bashkëpunim me policinë, ju bëjmë me dije se:

Më datë 24.06.2017, DVP Vlorë, konkretisht Komisariati i Policisë Sarandë dhe Delvinë, në bazë të detyrave të përcaktuara në programin e punës të Drejtorit të Policisë së Shtetit “Mbi garantimin e rendit dhe të sigurisë publikë gjatë periudhës zgjedhore, në zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë 2017”, duke filluar që në orën 18:00, kanë marrë nën ruajtje qendrat e votimit sipas rregullave proceduriale të procesit zgjedhor dhe në përputhje me ligjin.

Theksojmë edhe njëherë që Policia e Vlorës, Sarandë dhe Delvinë po kryen vetëm detyrat e përcaktuara më sipër dhe përjashtohet nga çfarëdo lloj bashkëpunimi i mundshëm apo mbështjetje të subjekteve të ndryshme politike duke përgënjeshtruar kështu prononcimin e Subjektit Politik LSI, po ashtu edhe të çdo pretendimi tjetër në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, që mund të ngrejë ndonjë subjekt tjetër politik.

Konkretisht, furgoni i policisë që u përmend të prononcim, ka kryer shpërndarjen e efektivëve të përcaktuar për kryerjen e shërbimit të ruajtjes së qendrave të votimit dhe më pas është parkuar sipas planizimit larg QV, në Shkallë të Konispolit.

Policia e Vlorës u bën thirrje subjekteve zgjedhore të mos adresojne akuza të pabaza ndaj Policisë së Shtetit, duke shprehur ndërkohë gatishmërinë për të ofruar çdo informacion të nevojshëm që i ndihmon transparencës.