Trajneri dhe kapiteni i Shkëndijës kanë folur para mediave për pritjet e tyre nga takimi i parë me Daçian, duke potencuar se kërkohet rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit në Moldavi. Shkëndija-Daçia luhet të enjten në Strumicë me fillim në orën 18:00.

“Kuqezinjtë” me optimizëm presin takimin me Daçian në kuadër të raundit të parë të eliminatoreve për Liga Evropa. Përballja me nënkampionët e Moldavisë nuk do të jetë e lehtë, mirëpo nga tabori i Shkëndijës besojnë se kanë potencial për të kaluar këtë pengesë. Fituesi përfundimtar që do të kalojë në raundin e rradhës do të vendoset pas ndeshjes së dytë, mirëpo rezultati pozitiv nga takimi i parë në masë të madhe do të lehtësonte detyrën para revanshit në Moldavi.

Ne në fazën përgatitore sigurisht akcentin e kemi vendosur pikërisht në këto ndeshjet që na presin me Daçian. Gjatë fazës përgatitore kemi zhvilluar tre ndeshje kontrolluese dhe në ato takime jemi munduar të arrijmë formën optimale për këto sfida që na presin. Mendoj se Shkëndija është e gatshme të del nesër në fushë dhe të nxjerim rezultat pozitiv. Ideale do të ishte të luanim në terenin tonë në Tetovë, mirëpo tani nuk mund ta ndryshojmë këtë dhe jemi të gatshëm për këtë situatë që edhe në Strumicë të ndjehemi si vendas”, u shpreh trajneri Qatip Osmani në konferencën zyrtare për shtyp para takimit të parë me Daçian.

Na pret ndeshje me kundështar që nuk duhet nënçmuar. Ekipi është i përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, kjo është një sfidë e re për ne. Shpresoj që me angazhim maksimal nga gjithë ne të arrijmë të shkojmë në raundin tjetër. Nuk duhet harruar se kemi dy ndeshje, por ne do të japim më të mirën që në ndeshjen e kthimit të shkojmë me rezultat sa më pozitiv. Do të jetë ndeshje e vështirë, në këto takime nuk ka favoritë. Ndeshjet në Evropë gjithmonë janë më të rënda se në kampionatin tonë, por ne jemi të përgatitur maksimalisht dhe shpresoj që me rezultat pozitiv të shkojmë në ndeshjen e dytë”, theksoi Ferhan Hasani.