Kombëtarja shqiptare është një pozicion i lakmueshëm edhe për emra trajnerësh prestigjiozë të skenës europiane. Por meqë Duka ka dhënë sinjale të qarta se dëshiron që pasardhësi i De Biasit të jetë sërish italian, atëherë Valter Zenga del hapur dhe pranon se është gati të marrë drejtimin e Shqipërisë.

“Më duket sikur është një shenjë e fatit. Në vitin 2002, kur trajneri i Shqipërisë ishte Bepe Dossena, unë drejtoja Nacional Bukureshtin dhe jemi ndeshur me Dinamon e Tiranës, të cilën e eliminuam nga Kupat e Europës.

Ndoshta tani është koha të bëhem pjesë e Shqipërisë. Por keni ndryshuar shumë, tani Shqipëria ka tjetër standard.  Sot stoli i kombëtares shqiptare është një pozicion i lakmueshëm. Shqipëria është një skuadër që ka marrë pjesë në Europianin e fundit dhe pa dyshim që më tërheq një aventurë në atë vend”, thekson për “Panorama Sport” Valter Zenga.

Ai thotë se është gati të nisë një aventurë në krye të kuqezinjve, edhe pse e di se do të jetë shumë e vështirë që të përsërisë suksesin e De Biasit dhe Tramexanit.

“De Biasi bëri një punë të shkëlqyer, jo vetëm në aspektin teknik, por edhe psikologjik. Së bashku me Tramexanin arritën diçka madhështore. E di që për çdo gjë do të më krahasojnë me De Biasin, por jam gati të marr përsipër edhe një sfidë të tillë”, deklaroi Zenga.