Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda, në një letër dërguar mediave ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me situatën në të cilën gjendet aktualisht PD-ja me numërimin e votave, e që flet për humbje të madhe të besimit në elektorat.

Por megjithatë, Deda ka thënë se kjo nuk është arsye që të kërkohet dorëheqja e kryetarit Lulzim Basha.

Artikullin e plotë, pa ndërhyrje të Dedës mund ta lexoni më poshtë:

Rezultatet dhe projeksionet e deritanishme e nxjerrin PD-në në një situatë të papritur, aspak të merituar, që si mua çdo demokrat e hidhërojnë deri në shok. Përpara se të jap opinionin tim të sinqertë ju bëj thirrje demokratëve ta përjetojnë me qytetari e fisnikëri këtë situatë të rëndë. Ngelem po aq shumë e tronditur nga entuziazmi i shumë eksponentëve të PD-së e analistë të cilët pa menduar pasojat apelojnë për dorëheqje të menjëhershme të kryetarit Lulzim Basha.

Së pari z. Basha ka një mandat politik të pa përfunduar si kryetar i PD-së, i pari i zgjedhur me një anëtar një votë.

Janë po ata njerëz që nuk e votuan katër vite më parë, që nuk lanë rast pa e kontestuar, ani pse ky kontekst ka ndikuar fuqishëm në negativitetin e këtij rezultati të 25 qershorit 2017.

Ata tani e kërkojnë medeomos këtë situatë kritike që në mjegull e hidhërim të mund të realizojnë ambicjet e tyre më shumë meskine e egoiste sesa efektive për riorganizimin e PD-së.

Së dyti, askush nuk e thotë qartë sot, se, jo partia, por Shqipëria ishte Kauza Basha. Dhe kësaj kauze, ndonëse me tepër kosto partiake Lulzim Basha, i shërbeu.

Si kujtoni ju, se krimi e oligarkia, të korruptuarit e narko-trafiku nuk do të reagonin dhunshëm ndaj Bashës e PD-së?!

Por Lulëzim Basha në këtë sfidë nuk pati vetëm humbje. Parlamenti i ardhshëm do të ketë shumë më pak kriminelë, ndoshta vetëm dy, të cilët nuk do të mund ta fillojnë mandatin e tyre.

Për herë të parë pushteti pati frikë të instrumentalizojë administrstën. Natyrisht kjo duket e vogël, por është premisa më e fortë drejt shtetit ligjor.

Nuk diskutohet se ka pasur ndonjë lajthitje në zgjedhjen e ekipit elektoral, por gjithsecili e njeh mirë situatën nga ku ne u futëm me emergjencë në Zgjedhjet Parlamentare të Qershorit.

Pa dashur të bëj një analizë të detajuar që për gjithsecilin është e domosdoshme, apeloj Kryetarin Basha që në këto kushte të mos e konsiderojë aktin e dorëheqjes së tij si kryetar i PD. Le t’i presim rezultatet me qetësi si dhe reagimet t’i bëjmë me logjikë demokrati dhe me fisnikëri duke mos u fshehur pas gishtit në këtë bashkëfajësi.

Z. Basha dhe Ne, që iu bashkuam vizionit të tij, nuk kemi pse kërkojmë ndjesë tek ishët që i entuziazmon humbja, por tek demokratët e vërtetë që kurrë nuk u tunduan, por mbështetën me patetizëm. Ata e vetëm ata i kemi zhgënjyer e lënduar.

Bashkëpërgjegjësia është logjika e Demokracisë dhe tipari fisnikërisë!

Lulzim Basha është Misionar i së ardhmes dhe jo meskin i së tashmes, është lideri i duhur dhe i nevojshëm për PD, për Demokracinë, për Shqipërinë.