Të birin, në vend të nipit. Mbreti i Arabisë Saudite caktoi Princ kurore djalin e vet të preferuar, Mohammed bin Salman, duke zëvendësuar njeriun që ishte deri tani i pari në radhë për marrjen e fronit, Mohammed bin Nayef.

Dekreti i monarkut do të thotë se, 31-vjeçari Mohammed bin Salman do të bëhet zëvendëskryeministër, duke e ruajtur njëkohësisht edhe postin e ministrit të Mbrojtjes. 57-vjeçari bin Nayef është shkarkuar sakaq nga detyra e shefit të Sigurisë së Brendshme.

Pavarësisht këtyre lëvizjeve, ai i ka premtuar besnikëri Princit të ri të kurorës.

Mbreti 81-vjeçar Salman u ngjit në fron janarin e vitit 2015, pas vdekjes së vëllait të tij nga babai, Abdullah bin Abdul Aziz. Lëvizjet e para në kabinet, ai i njoftoi vetëm pak muaj pas marrjes së frerëve të vendit, e ishte ai vet që e caktoi bin Nayef si Princ të kurorës, ndërsa të birin si zëvendësin e kushëririt.

Kjo u konsiderua asokohe një thyerje e traditës, sepse Arabia Saudite ishte sunduar gjithmonë nga monarkë të moshave të thyera, 70 apo 80 vjeç. Promovimi i i Princit Mohammed bin Salman dhe ngjitja e tij e shpejtë në pushtet, shihet nga gjenerata e re e vendit si shenjë e faktit që gjërat po ndryshojnë.

Si ministër i Mbrojtjes dhe zëvendësprinci i kurorës, ai ka drejtuar luftën e Arabisë Saudite në Jemen, e ka mbikëqyrur politikat energjetike të Mbretërisë së Gjirit, ndërsa Mohammed bin Nayef ka qenë shef sigurie për shumë vite me radhë dhe njihej për qëndrimin e ashpër ndaj militantëve xhihadistë./ Top Channel

Global