Përderisa ende nuk është përmbyllur procesi i certifikimit të zgjedhjeve nacionale, tashmë është caktuar edhe data e zgjedhjeve lokale.

Deri më tash janë përfolur disa nga kandidatët e mundshëm nga radhët e LDK-së për Prishtinën e po ashtu e dhe për komunat tjera.

Mirëpo, LDK ende nuk ka vendosur asgjë në këtë drejtim.

Nënkryetari i saj, Lutfi Haziri në një prononcim për Indeksonline thotë se tani për tani ata janë të zënë për formimin e Qeverisë dhe nuk do të merren me zgjedhjet lokale.“Njëherë do i presim rezultatet e zgjedhjeve, zbatimi i zgjedhjeve parlamentare pastaj do merremi me zgjedhjet tjera”, ka thënë Haziri.

Ndërsa, ai hedh poshtë të gjitha kandidaturat e përfolura këto ditë nga radhët e LDK-së, duke thënë se këto janë vetëm propozime individuale, pasi kryesia e LDK-së ende nuk ka vendosur asgjë.

“Nuk vlen as një emër, asnjë kandidaturë që është përmendur këto ditë, sepse kryesia e LDK-së ende nuk ka vendosur, kështu që janë propozime vetëm individuale”, ka shtuar Haziri.

Kjo deklaratë e Hazirit vjen si kundërpërgjigje ndaj Ismet Beqirit i cili dje tha se ka interesim për ta marrë udhëheqjen e Prishtinës.

“Sa i përket zgjedhjeve lokale në Prishtinë, padyshim që për ne kryeqyteti është komuna më e rëndësishme. Natyrisht që interesim të veçantë kemi për kryeqytetin. Jemi të bindur që mund ta kthejmë pushtetin në Prishtinë. Nuk mund ta fsheh faktin që tash e një kohë kam kërkesa nga strukturat dhe qytetarët që të jem kandidat për të parin e Prishtinës”, ka thënë Beqiri në “Ballë për Ballë” në “Klan Kosova”.

Ai ka theksuar se nëse do të kandidon për kryetar të Prishtinës do ta fitojë garën. “Nëse më jepet rasti, besoj dhe jam i bindur, që do t’i fitojmë zgjedhjet lokale në Prishtinë. Jam i bindur që kemi shumëçka t’u themi atyre që tani janë duke e drejtuar kryeqytetin. Këto katër vjet e kanë dëshmuar që në Prishtinë nuk është punuar. Unë nuk kam parë asnjëherë ndonjë pushtet lokal që ka bërë dëme më të mëdha gjatë qeverisjes, sesa që ka bërë pushteti aktual në Prishtinë”, ka thënë Beqiri.