Kryeministri Rama shkarkon zv.ministrin e Brendshëm Ilir Marko, pas replikave të tij me ish-ministrin Tahiri. Marko, nga radhët e LSI u shkarkua me motivacionin e shkeljes së etikës, pasi zbuloi, se Tahiri është përgjuar nga ndërkombëtarët që e shkarkuan më tej nga detyra. Tahiri tha në një reagim të gjatë kundër Ilir Metës dhe zv.ministrit Marko, se i vunë përgjues në zyrë, “revoltë” kjo që erdhi pasi LSI-ja sot i nxori prova të vjedhjes së votave nga Partia Socialiste në Vorë.

Ilir Marko e pati të vështirë të shfaqej publikisht në detyrën e  tij si zv.ministrër i Brendshëm kur këtë ministri e drejtonte Saimir Tahiri, Të gjithëve i bëri përshtypje dalja e tij publike pas një kohe të gjatë “zhdukjeje”…e kjo ndodhi kur për pak kohë Ministrinë e Punëve të Brendshme e drejtoi Fatmir Xhafaj.

Përplasja e mbartur mes tij dhe ish-ministrit Tahiri, tashmë i ka kushtuar postin zv.ministrit Marko. Kryeministri Edi Rama ka marrë sot vendim për shkarkimin e Ilir Markos, dhe kjo ndodhi vetëm pas një përplasje që zv.ministri që vjen nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ju kundërpërgjigj Tahirit në disa akuza që ky i fundit bëri publike. Tahiti akuzoi LSI-në dhe Ilir Metën se e kanë përgjuar në zyrën e tij gjatë kohës që ishte në detyrë, por Marko në një mesazh që i ka dërguar ish-ministrit, i thotë se në fakt e kanë përgjuar ndërkombëtar, pasi ata edhe e shkarkuan.

Sipas aludimeve të Tahirit, ishte Ilir Marko që I kishte vendosur përgjuesin në zyrën e tij në Ministri.

Marko në mesazhin privat që i ka dërguar Tahirit, menjëherë pas akuzave që erdhën në adresë të tij, thotë se përmes përgjimit që i bënë ndërkombëtarët zbuluan ato që ai i gjuan “bëmat” e Tahirit, dhe ndaj e shkarkuan si ministër. Marko zbulon në këtë mesazh, se kryeministrit Edi Rama i ka ardhur një letër me ultimatum nga ndërkombëtarët për “kokën” e Tahirit.

“Mos më provoko mua sepse edhe 1 % shans që ta ka ngelur për të vazhduar në politike, bën mirë mos ta rrezikosh”, përmbyll mesazhin, zv.ministri, tashmë i shkarkuar nga kryeministri Edi Rama me një urdhër që motivacionin e ka: “për shkelje të papranueshme të etikës zyrtare, në papajtueshmëri të plotë me detyrën e lartë që kryen dhe shkelje të normave elementare të komunikimit publik”.

Gjatë ditës së sotme, ish-ministri Saimir Tahiri, njëherësh kryetar i PS-së në Tiranë, pati këtë reagim të ashpër ndaj LSI-së, pasi kjo forcë politike i hodhi akuza konkrete për vjedhje të votave në Vorë. Akuza që u artikuluan nga kandidatja për deputete e LSI-së, Eriona Bixha, me emra dhe targa makinash që përdoren për të shpërndarë lekë nga Saimir Tahiri dhe njerëzit e tij.