Kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, deputeti Artan Grubi, ka pritur sot në Kuvend Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, z. Samuel Zhbogar.

Deputeti Grubi dhe Ambasadori Evropian Zhbogar bashkëbiseduan për sfidat reformuese të Maqedonisë në përputhje me pritshmëritë e Brukselit, BE dhe NATO, sfidat e Komisionit për Çështje Evropiane në lidhje me dinamikën ambicioze të agjendës së re reformuese bashkë me përkushtimin integrues te vendit në NATO dhe BE.

Grubi njoftoi z. Zhbogar për prioritetet e Komisionit të cilin ai e drejton në Kuvend e që përfshijnë gjithashtu edhe debate të shumta publike për të gjitha çështjet reformuese me përfshirjen e të gjithë deputetëve, shoqërisë civile, mediave, komunitetit ndërkombëtar.

Grubi u shfaq i përkushtuar që bashkë me deputetet e tjerë dhe shoqërinë civile të mban të përgjegjshme Qeverinë dhe palët përgjegjëse për zbatimin e përpiktë të reformave.

Sundimi i së drejtës, barazia qytetare në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, integrimi i menjëhershëm EuroAtlantik si dhe mirëqenia shoqërore janë kryefjalë e kësaj shumice të re reformuese.

Deputeti Grubi theksoi që është në pritje të Udhërëfyesit të miratuar nga Qeveria si dhe nënvizoi nevojën e miratimit të një Rezolute gjithëpërfshirëse nga ana e Kuvendit në përkrahje të reformave dhe integrimit në Bashkimin Evropian.