Dy futbollistët kuqezi, Shkëlzen Gashi dhe Jahmir Hyka, mund të jenë pjesë e top 11 që do të sfidojë Real Madridin, 12 herë fituesit e Champions League, më 2 gusht në Amerikë.

Nëse tifozët do t’i zgjedhin, Hyka dhe Gashi, që aktivizohen respektivisht me San Hoze Erthkuajk dhe Kolorado Rapids, kanë mundësinë të bëhen pjesë e formacionit më të mirë që do të luajnë kundër yjeve madrilenë.

Në fakt, Reali do të luajë tre ndeshje përtej Oqeanit dhe mes tyre është edhe sfida ndaj top 11 yjeve të MLS-së, ku sigurisht radha për të zbritur në fushë është e madhe, ndërsa këtë shans e pati edhe Hamdi Salihi, përpara disa vitesh, kur vishte fanellën e Uashington DC Junajtid.

Por, a do të zgjidhen Hyka dhe Gashi në këtë formacion ëndrrash, kundër Real Madridit, qoftë duke zbritur në fushë edhe vetëm disa minuta? Në sondazhin që po bëhet, deri tani, shihen jashtë, por gjërat mund të ndryshojnë dhe, të paktën, një gjysmë ëndrre, mund të plotësohet.