Exit Poll-i i Ora News dhe IPR Marketing ka nxjerrë fituese Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri.

Sipas këtij sondazhi, partia e Edi Ramës do të marë mes 45 dhe 49 për qind të votave.

Pas kësaj vjen Partia Demokratike me 30-34 për qind, ndërsa e treta mbetet Lëvizja Socialiste për Integrim 11-15 për qind.

LIBRA pritet të fitojë mes 1-3 për qind, ndërsa PDIU 3-5 për qind.

Sipas Exit Poll-it, në qarkun e Tiranës Partia Socialiste siguron nga 17-19 mandate, Partia Demokratike 11-13 mandate dhe Lëvizja Socialiste Për Integrim nga 2-4 mandate.

Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit, kjo është përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor në Shqipëri në nivel kombëtar kanë marrë pjesë në votime rreth 43,88 përqind e qytetarëve.

Sipas të dhënave nga komisionerët në Berat  kanë marrë pjesë  41,27 përqind e votuesve,  ndërsa në Durrës  rreth 39.05 përqind.

Në Elbasan kanë votuar rreth 44.58 përqind e qytetarëve, ndërsa në  Fier 49,31 përqind.

Zgjedhësit në Gjirokastër  i janë përgjigjur të drejtës së votimit me rreth 41,53 përqind, ndërsa në

Korçë  rreth 47,19.

Në qarkun e Kukësit dalja e qytetarëve në votime është raportuar  në mbi 53,21 përqind, ndërsa në Lezhë 44,55 përqind.

Në Shkodër kanë votuar mbi  40.85 përqind e personave me të drejt vote, ndërsa në Vlorë rreth 35,9 përqind.

Në kryeqytetin shqiptar Tiranë, dalja e votuesve është shënuar në rreth 47.85 përqind.

Komisionerët largohen nga vendvotimet, KQZ u bënë thirrje të kthehen

Komisioni Qendror Zgjedhor në një konferencë të jashtëzakonshme ka kërkuar nga komisionerët të cilët ndodhen në qendrat e votimit që të qëndrojnë aty deri në mbylljen votimit i cili është shtyrë për orën 20:00.

Thirrja e zëdhënëses së KQZ-së Drilona Hoxhaj vjen pasi disa komisionerë kanë filluar të largohen pas orës 19:00 duke tentuar kështu që të mbyllin qendrat e votimit.

Hoxhaj: Të gjitha qendrat e votimit të jenë të hapura deri në orën 20:00

‘KQZ u kërkon të gjithë komisionerëve që të respektojnë vendimin e KQZ i cili u mor pak momente më përpara. Arsyeja apo justifikimi që nuk na është sjellur e printuar hardcopy e të tjerë, këto janë justifikime të cilat nuk janë shkak që ata të largohen nga vendi i tyre i punës, sepse sot ata janë në krye të detyrës. Ata duhet të qëndrojnë, janë vënë në dijeni të gjitha KZAK-të për vendimin e KQZ-së dhe të gjitha qendrat e votimit duhet të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00”, tha Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, të gjithë ata që i lëshojnë vendvotimet e kanë shpërdoruar detyrën dhe do të përgjigjen para ligjit.

KQZ shtyn orarin e mbylljes së procesit të votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se mbyllja e procesit të votimit do të shtyhet me një orë.

Ky vendim është marrë pas një votimi, i cili ka përfunduar me 6 vota pro dhe kundër ka qenë vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim.

Sipas orarit të ri të njoftuar nga KQZ-ja, qendrat e votimit në të gjithë Republikën pritet të mbyllen në orën 20:00.

Pjesëmarrja në zgjedhje 35.67% deri në orës 19:00

Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 19:00 kanë votuar gjithsej 35,67%.

Ky do të ishte edhe rezultati zyrtar, nëse KQZ do të kishte mbyllur procesin në orarin fillestar, por më pas u shty deri në orën 20:00.

Ky është një shifër e ulët, në krahasim me zgjedhjet e para 4 viteve, në të cilën votuan më shumë qytetarë.

E ndarë sipas qarqeve ,votimi deri në orën 19:00 ishte:

Berat 38.02%

Dibër 43.75%

Durrës 33.9%

Elbasan 37.36%

Fier 34.57%

Gjirokastër 35.66%

Korcë 38.43%

Kukës 36.86%

Lezhë 31.59%

Shkodër 32.56%

Tiranë 38.48%

Vlorë 27.7%

Tre orë para përfundimit të procesit të votimit, KQZ: Deri në ora 16.00 kanë votuar 35.78 për qind e qytetarëve

Mbeten më pak se tre orë nga përfundimi i procesit të votimit, megjithatë pjesëmarrja vijon në nivele të ulëta.

Zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxhaj në një konferencë për media ka bërë të ditur se deri në ora 16.00 kanë dalë 35.78 për qind e votuesve me të drejtë vote, ndërkohë që përqindja më e lartë e daljes në zgjedhje është në Qarkun e Beratit me 43.51 për qind.

Qarku i Gjirokastrës radhitet i dyti me 38.14 për qind, ndërsa në Qarkun e Shkodrës është shënuar përqindja më e ulët e votuesve deri në ora 16.00, ku sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së kanë votuar 29.55 për qind e votuesve me të drejtë vote.

Ndryshe, zyrtarë të KQZ-së më herët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangen nga incidentet e mundshme, ndërsa thanë se procesi i votimit po ecën mirë, pavarësisht disa parregullsive të vogla që nuk kanë ndikim në zgjedhje.

Ata po ashtu u bën thirrje liderëve të partive politike që të respektojnë heshtjen zgjedhore, e cila sipas Kodit zgjedhor është në fuqi deri në ora 19.00, kur edhe pritet të mbyllen vendvotimet.