Megjithëse numërimi i votave në zgjedhjet parlamentare nuk ka mbaruar, Partia Socialiste e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama pritet të dalë forca e parë politike me një mazhorancë të mjaftueshme për të krijuar qeverinë e re. 

Me vetëm 34.4 % të kutive të votimit të përpunuara sipas KQZ-së të hënën në mëngjes, kryeministri Edi Rama shpalli fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke sugjeruar nëpërmjet një postimi në ‘Facebook” se do të marrë ‘75 mandate +’ – çfarë do t’i jepte Ramës timonin për të formuar Qeverinë e re.

Rama ka postuar një timon me numrin 2 në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, duke iu referuar numrit të Partisë Socialiste në listën e votimit.

“MIRËMËNGJES ? ..dhe ju uroj një ditë të bukur me këtë kryevepër ende të pambaruar të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi?✌,” shkruan Rama.

Sipas të dhënave të KQZ-së në orën 9:30, pas përpunimit të 34.4 % të kutive të votimit, Partia Socialiste udhëheq me 49.45 % të votave, e ndjekur nga PD me 28.3 % të votave dhe LSI me 15.4 % të votave. Grupi i partive të vogla udhëhiqet nga PDIU me 3.78 %, i ndjekur nga LIBRA me 1.1 %.

Të dhënat e KQZ-së tregojnë që pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë e barabartë me 46.5 % e votuesve me të drejtë vote, ose 1.1 milionë zgjedhës.

Edhe pse ky rezultat është paraprak dhe shumica e votave nuk janë numëruar akoma, nuk kanë munguar kritikat e ashpra kundër kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha për rezultatin e dobët të partisë më të madhe opozitare.

Në një analizë të publikuar në gazetën “Panorama”, ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj i ka kërkuar Bashës dorëheqjen e menjëhershme nga lidershipi i partisë.

“Nuk është hera e parë gjatë këtyre 26 vjetëve që ne demokratët humbim në zgjedhje. Por dështimi i “Republikës së re” është mirëfilli i turpshëm”, shkruan Mustafaj.

“Dhe është i tillë personalisht për Lulzim Bashën. Prandaj edhe shkundja e Partisë Demokratike duhet të fillojë nga dorëheqja e tij e menjëhershme nga të gjitha funksionet drejtuese në Partinë Demokratike”, përfundon ai.

 

Global