Një pjesë të mirë të fjalimit falënderues që Rama mbajti në sheshin “Skënderbej” për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit, e zuri edhe marrëveshja politike e arritur më 18 maj me liderin e opozitës Lulzim Basha. Këtu, kreu i qeverisë i bëri publikisht një falenderim kreut demokrat, duke i thënë se me firmosjen e kësaj marrëveshje, ai zgjodhi Shqipërinë.

Kujtojmë se në një takim kokë më kokë, Rama e Basha arritën më 18 maj një marrëveshje mes tyre, që çoi në daljen e opozitës nga çadra e protestës 3 mujore, dhe futjen e saj në garë për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

“Ajo marrëveshje ka potencialin për të mos u fashitur si ëndrra e një nate vere, ku qeveria dhe opozita janë të ndara, por duhet të jenë të bashkuara për interesat politike dhe kombëtarë të Shqipërisë në rrugën për Evropën që duam. Duke shprehur këtu vullnetin për ta respektuar më tutje, dua ta falënderoj sot Lulzim Bashën, se më 18 maj vuri Shqipërinë të parën”, tha kreu i qeverisë.

Me këtë marrëveshje, Rama tha se jepet një frymë e re bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës.

Megjithatë, shefi i qeverisë tha se duhet parë nëse nuk ka ndonjë “thyerje” nga ana e kreut demokrat Basha sa i përket zbatimit të marrëveshjes edhe në vijim.

“Duhet parë nëse fryma e marrëveshjes nuk është tretur bashkë me zgjedhjet e PD-së. Dua ta rikonfirmoj publikisht dëshirën për ta pasur marrëveshjen 18 majit një busull orientuese të marrëdhënies së qeverisë se re me opozitën e re”, u shpreh Rama.

Në përfundim, Rama tha se marrëveshja e 18 majit qeveri-opozitë nuk duhet parë siç disa kundërshtarë politikë u përpoqën t’ia shfaqin shqiptarëve.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154891330821523/” width=”600″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

Global