Lideri demokrat Lulzim Basha sfidon kryeministrin Edi |Rama në deklaratën e tij për të qeverisur i vetëm duke marrë 71 mandate më 25 qershor. Basha në fakt, beson se qytetarët të djelën do t’i japin PD-së fitoren totale, për të marrë mandatin si kryeministër.

I ftuar në “Zonë e Lirë”, Basha u pyet nga gazetari Arjan Cani nëse do të mund të kishte një koalicion të mundshëm pas zgjedhor me Partinë Socialiste. Përgjigja ishte kategorike: Jo.

Në këto zgjedhje ne shkojmë për fitore totale, ne shkojmë të mandatohemi nga shqiptarët. Unë jam republika e re, nuk kam asnjë plan për pazar me ata që duhet të munden me votë të djelën”, tha Basha.

Po kur u pyet nëse është e njëjta përgjigje edhe për një koalicion me LSI-në, Basha nuk ishte kaq i prerë.

“Pas fitores do të ftojmë çdo forcë politike që ka gatishmërinë për të mbështetur reformat tona”, tha Basha duke lënë të hapur mundësinë për një koalicion me LSI-në.

Në fakt, kujtojmë se një hapësirë për koalicion me PD-në e la të hapur mbrëmë në “Opinion”, kryeministri Edi Rama. Por Basha mbajti qëndrim të prerë, se kjo nuk ka për të ndodhur.

Analisti Artur Zheji e pyeti nesë ka ndonjë shans që ose Basha të jetë zëvendëskryeministër i Ramës, apo e kundërta, Rama zv.kryeministër i Bashës.

“Nuk ka për të qenë Rama zv.kryeministri im dhe nuk mund të ketë bashkëjetesë mes planit tim dhe mungesës totale të planit të Ramës”, theksoi kryetari i Partisë Demokratike.