Komisionet kuvendore për mundësi të barabarta të grave dhe burrave dhe për punë dhe politikë sociale sot e filluan debatin publik për Propozim ligjin për ndryshim të Ligjit për marrëdhënie të punës për propozimin e vazhdimit të pushimit të lindjes me pagesë prej nëntë në 18 muaj.

Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Socale Elmi Aziri në fjalimin e tij tha se Maqedonia ka ratifikuar konventë për mbrojtje të mëmësisë në vitin 2012 me Organizatën ndërkombëtare të të punësuarve në të cilën parashihet që pushimi i lindjes të jetë minimum 14 javë dhe me mundësi të vazhdohet deri në 18 javë.

“Qeveria si nënshkruese e konventës së re është e obliguar t’i respektojë këto rregulla. Në mënyrë shtesë legjislativa e vendeve të caktuara anëtare të BE-së ofrojnë kohë shumë më të shkurtë për pushimin e lindjes me pagesë siç janë Gjermania dhe Kroacia ku zgjatë 14 javë, pastaj Sllovenia 15 javë, Çekia 28 javë, Hungaria dhe Polonia 24 javë, Sllovakia 34 javë, Austria 16 javë”, sqaroi Aziri

Sipas tij, Maqedonia me ligjin ekzistues është mbi kriteret dhe standardet e BE-së dhe më e përparuar nga vendet tjera të cilat kanë vetëm 3-4 muaj pushim të lindjes me pagesë. Aziri tha se nëse pranohet ky propozim do të shkaktohen shumë probleme midis të cilave do të stimulohet joaktivizimi i grave, si dhe ajo se do të ketë implikime negative në tregun e punës.

Propozim-ligji i vendimit për vazhdimin e pushimit të lindjes, javën e kaluar u shqyrtua edhe në Komisionin kuvendor për punë dhe politikë sociale.

Propozimi për ndryshime të Ligjit për marrëdhënie të punës është parashtruar nga deputetet Nolla Ismajllovska dhe Magdalena Manaskova nga VMRO-DPMNE-ja. Deputetja Ismajllovska në debatin në Komisionin për punë dhe politikë sociale sqaroi se këtë vendim ligjor e ofrojnë si mbështetje të nismës prej 210 qytetarëve, e cila u hodh poshtë si e çrregullt.