Organizatat joqeveritare kërkojnë që Kuvendi të jetë më i hapur për qytetarët, debat më kualitativ si dhe përforcim të rolit të saj në mbikëqyrjen e punës së ekzekutivit.
Kryetari i Institutit për demokraci “Societas Civilis” Marko Troshanovski kërkon mbikëqyrje për punën e deputetëve dhe sanksione për mungesa.
Për këtë janë të nevojshme ndryshime në Rregulloren dhe në ligjet, por para së gjithash duhet që trupat rregullator të punojnë me përgjegjësi dhe efikasitet dhe të kërkohet përgjegjësi për të gjithë ata që pas disa ftesave nuk paraqiten në punë- deklaroi Marko Troshanovski, Instituti për demokraci “Societas Civilis”.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi u shpreh optimist se shumica e re parlamentare do të bëjë hapa pozitive në këtë drejtim.
Jam i bindur se kjo shumicë parlamentare e ka atë dëshirë të nevojshme kritike e cila do ti lëviz punët në drejtim pozitiv kur bëhet fjalë për realizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit të Maqedonisë– deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit.
Deputeti i Lëvizjes Besa Afrim Gashi tha se përderisa Kuvendi i Maqedonisë nuk bëhet institucion i demokracisë, Maqedonia edhe më tej do të ballafaqohet me probleme të vjetra.
Ne jemi të interesuar që Kuvendit ti rikthehet vendi i tij që është në sistemin politik e që është si institucion qendrorë në shtet. Që kjo të bëhet duhet të kemi angazhim të madh dhe vullnet politik nga të gjitha subjektet– tha Afrim Gashi, Lëvizja Besa.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Tomisllav Tuntev tha se partitë politike duhet të lejojnë që deputetë me qetësi ti kryejnë detyrat e tyre.
Roli i deputetit në kontrollën e shtetit në veçanti në agjencit e sigurisë, patjetër të jetë e pavarur prej ekzekutivit, këtë e shkruan edhe në ligj. Mirëpo, implementimi nuk është si duhet, dhe unë jam i bindur se me këtë përbërje parlamentare roli i deputetit jo vetëm në atë segment por në përgjithësi do të rritet- tha Tomisllav Tuntev, LSDM
Në konferencën për “Forcimin e rolit të Kuvendit të Maqedonisë” debatuan deputetë aktual, ish deputet dhe përfaqësues të sektorit civil. Pjesëmarrësit konstatuan se partitë duhet angazhohen që Kuvendi të fitoj rol më të rëndësishëm në sistemin politik./alsat