Një 59-vjeçar ka nxitur Policinë e Vlorës që të nisë hetimet, pasi gjatë ditës së sotme ka hyrë në qendrën e votimit dhe është ndaluar të votojë nga ana e komisionit, pasi rezultoi se në emrin e tij ishte votuar njëherë.

F.S me banim në Vlorë ka bërë kallëzim pranë bluve të qytetit, se sot rreth orës 09:30, është paraqitur për të votuar në Qendrën e Votimit 4489, e cila ndodhet në lagjen “1 Maji” Vlorë dhe nuk ka mundur ta ushtrojë të drejtën e votës pasi nga ana e Komisionit të kësaj Qendre Votimi, pas verifikimit në listat e votuesve ka rezultuar se me të dhënat e këtij shtetasi ishte kryer njëherë votimi.

Në lidhje me këtë rast, Policia ka kryer veprimet e para hetimore dhe po punohet për identifikimin e autorëve përgjegjës në lidhje me këtë ngjarje.

Policia e Vlorës i referoi materialet procedurale Prokurorisë, për veprat penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” si dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.