Forcat qeveritare irakiane pritet që brenda pak ditësh të arrijnë fitoren përfundimtare mbi Shtetin Islamik në Mosul. Por ekspertët paralajmërojnë se vetëm fitorja ushtarake nuk garanton paqe të qëndrueshme në rajon.

Ata po i kërkojnë Bagdadit që të punojë për zhvillimin e bashkëpunimit mes grupeve të ndryshme që jetojnë në rajon.

Banorët në Mosulin lindor festuan Kurban Bajramin të çliruar nga Shteti Islamik për herë të parë në tre vjet. Issam Ibrahim është një nga banorët.

“Duam t’u tregojmë të afërmve tanë që janë ende në anën perëndimore se forcat e sigurisë po vijnë t’ju shpëtuar, ndaj mos u frikësoni dhe mos hezitoni të bashkëpunoni me ta. Me dëshirën e Zotit, ju do të shporrni Shtetin Islamik sa më shpejt.”

Forcat qeveritare po bëjnë përparim drejt qendrës historike të Mosulit, pjesa e fundit e qytetit që ende mbahet nga militantët. Shtëllunga tymi u panë mbi qytetin e vjetër të dielën. Beteja është e komplikuar sepse kjo zonë ka një popullsi të dendur. Oficeri Abdulwahab Al- Saadi është me sherbimin kundër terrorizmit.

“Deri tani janë shpëtuar mijëra familje. Operacioni po vazhdon, por kërkon masa të kujdesshme kur përparon, me qëllim ruajtjen e jetëve të banorëve civilë dhe trupave ushtarake.”

Por ka njoftime për viktima. Suham Mohammed është një banor i zhvendosur i Mosulit.

“Vajzat e mia ishin nën rrethim. Një predhë nga ajri goditi shtëpinë dhe humba vajzat e mia. Dua të kthehem tek vajzat e mia. Ndoshta janë gjallë.”

Pavarësisht vështirësive, Bagdati beson në rimarrjen e menjëhershme të qytetit. Ekspertët thonë se mundja ushtarakisht e Shtetit Islamik nuk do të garantojë paqe të përhershme në Mosul. Është e rëndësishme të sigurohet që strukturat drejtuese dhe policia të përfaqësojë të gjitha grupet e rëndësishme etnike dhe sektare në rajon, thotë analisti Michael O”Hanlon.

“Në këtë lloj shoqërie të shpërbërë, njerëzit nuk fillojnë të besojnë njëri-tjetrin. Ata nuk do të bashkëpunojnë vetëm për shkak se është eliminuar një forcë e keqe e brendshme apo jashtëme. Duhet zhvilluar dhe punuar për forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit dhe gradualisht ndërtimin e besimit. Kjo nuk do të realizohet menjëherë.

Rënia e Mosulit do të shënojë fundin e “Kalifatit” të Shtetit Islamik nëIrak. Gjithashtu duket se grupi ka gjasa të humbasë bazën e tij siriane në Raqqa. Por militantët do të mbeten në kontroll të zonave të mëdha si në Irak ashtu edhe në Siri. /VoA