Është bërë zgjedhja e përvitshme e lojtarëve të rinj që synojnë të bëjnë hapin e madh në NBA. Nuk pati shumë surpriza, pasi skuadrat respektuan parashikimet në bazë të shortit që ishte hedhur kohë më parë. Skuadra e parë që bëri zgjedhjen ishte Philadelphia, që mori organizatorin Markelle Fultz. “Për mua është një ëndërr që realizohet. Nuk ndjej aspak presion”, tha Fultz. Zgjedhja e dytë i takoi Lakers, që gjithashtu respektoi parashikimin, duke marrë organizatorin Lonzo Ball, lojtar që pritet të jetë titullar që sezonin e ri. “Djali im do ta dërgojë skuadrën që sezonin e parë në play off”, tha babai i lojtarit.

Por dita e sotme në NBA rezervoi edhe një surprizë të madhe, siç është largimi i Jimmy Butler nga Chicago Bulls, për të luajtur me Minnesota sezonin e ardhshëm 2017-2018. Një blerje me shumë peshë, pasi bëhet fjalë për një nga lojtarët më të mirë, që rrit ndjeshëm potencialin e Minnesotës në Konferencën e Perëndimit. Për të marrë këtë lojtar, Minnesota u detyrua të çojë drejt Bulls Zach LaVine, Kris Dunn dhe të drejtat e finlandezit Lauri Markkanen (i përzgjedhur sot nga draft). Duket se Chicago kërkon të rilindë dhe kërkon të afrojë disa lojtarë të rinj dhe me përspektivë për të ardhmen.