Dorëheqja e Kryetari të LSI, Petrit Vasili ishte diskutimi i pjesës së parë të emisionit “Të Paekspozuarit”. Analisti Andi Bushati deklaroi se kjo lëvizje e shoqëruar me shpalljen e kandidaturës së Monika Kryemadhit, tregon se Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti klienteliste dhe familjare.

Fatos Lubonja: Shkaku është më i lehtë për tu kuptuar pse Monika Kryemadhi është në krye të LSI. Shaku është se Vasili, ndoshta ndihet më i lodhur në politikë dhe mendohet që Kryemadhi është një figurë më energjike në parti, ka më shumë karizëm ,dhe sipas meje, nuk është se brenda partisë ka konflikt, por thjesht kjo zgjedhje është për ti dhënë më shumë motor një makine, që duhet të ecë me marsh tjetër. Është një malore e fortë dhe Kryemadhi e bënë më mirë këtë punë, dhe kjo është në favor të zgjedhjes. Por kjo ka edhe disfavoret e veta, për disa arsye. E para sepse duke qenë se do kemi një opozitë agresive, shumë shpejt e bënë më vulnerabël LSI përsa i përket sulmeve që do i bëjë Edi Rama nesër, pasi duhet të themi që Kryemadhi është gruaja e presidentit.

Andi Bejtja: LSI me këtë veprim së pari ka dashur ti thotë publikut, se do jemi fortë në opozitë, më e fortë se Partia Demokratike, për të dhënë këtë mesazh, prandaj ka zgjedhur Kryemadhin, pasi është energjike dhe organizatore, plus që përfaqëson edhe një numër të madh të rinjësh që ka afruar Kryemadhi. Mund të fitojë edhe më e lehtë brenda partisë edhe se Ilir Meta po të bësh një sondazh. Kryemadhi vërtetë është bashkëshortja e Metës, Monika ka hyrë në politikë prej vitesh, madje nëse s’do ishin burrë e grua, ajo mund të kishte partinë e saj.

Andi Bushati: Nëse do kishte sot një këshilltar të Metës për t’i bërë keq, do i thoshin vendos gruan kryetare. Pse? Sepse akuza më e madhe ka qenë që partia e tij është akuzuar si parti familjare dhe klienteliste. Një muaj pasi ka caktuar një kryetar të ri, thotë ne e ndryshojmë dhe unë do vë time shoqe. Ndoshta LSI duhet të ndryshoj sot taktika dhe ëndërron të marri primatin e opozitës, por LSI ka katër vite që na tregon se shqiptarët binden me qetësi dhe dashuri, dhe figurë më të dashur se Vasili nuk kishte ku të gjindej.