Zëdhënësi Prokurorisë federale të shtetit belg, Eric Van der Sypt, ka deklaruar se burri i dyshuar i cili u neutralizua në stacionin kryesor të trenit në Bruksel ishte i kombësisë marokene dhe se për autoritetet nuk ishte i njohur për aktivitete të mëparshme terroriste, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia belge e lajmeve Belga më herët ka raportuar se sulmuesi kishte dosje për abuzim seksual. Disa media kanë raportuar se bëhet fjalë për O.Z. 36-vjeçar.

Incidenti ka ndodhur mbrëmë vonë në stacionin kryesor të trenit në Bruksel, ndërsa policia e ka trajtuar atë si sulm terrorist.

Mediat lokale kanë raportuar se gjatë incidentit në stacion është dëgjuar një shpërthim i vogël, ku policia belge dhe forcat ushtarake kanë ndërhyrë me shpejtësi duke bllokuar qasjet në stacionin hekurudhor.

Burri i cili kishte veshur një jelek të mbushur me eksploziv në qendër të Brukselit u neutralizua me shpejtësi.

Në mars të vitit të kaluar në sulmet terroriste në aeroport dhe stacionin e metrosë në Bruksel u vranë të paktën 34 persona, dhe prej atëherë në fuqi është rreziku nga terrorizmi i nivelit të tretë, si dhe janë shtuar masat e sigurisë.