Bashkimi Evropian (BE) ka dorëzuar vetëm 811 milionë euro prej 3 miliardëve të premtuar për refugjatët sirianë në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioni i BE-së njoftoi se sot është mbajtur mbledhja e shtatë e komitetit administrativ, i cili është themeluar për mbështetje financiare të premtuar nga BE-ja për t’i mbështetur refugjatët sirianë në Turqi.

Në njoftim ku bëhet e ditur se gjatë kësaj mbledhjeje të komitetit janë vlerësuar projektet e reja për mbështetjen e refugjatëve, u bë e ditur se ka filluar mbështetja profesionale dhe e njohjes së gjuhëve të huaja në vlerë totale prej 50 milionë eurosh.

Ndërkaq, bëhet e ditur se në fondin e krijuar për mbështetjen e refugjatëve sirianë në Turqi janë transferuar edhe 714 milionë euro dhe që nëpërmjet kësaj shuma e ndarë për fondin ka arritur vlerën prej 2.9 miliardësh. Duke vënë në dukje se deri më tani për 48 projekte janë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej më shumë se 1,6 miliardë eurosh, bëhet e ditur se deri më tani për këto projekte janë paguar 811 milionë euro.

Ishin premtuar 3 miliardë euro

Në Samitin Turqi-BE të organizuar më 29 nëntor të vitit 2015 BE kishte premtuar se për refugjatët e Sirisë në Turqi deri në fund të vitit 2017 do të ndajë një fond prej 3 miliardë eurosh. Ndërkaq në samitin e 18 marsit ishte vendosur që në qoftë se ky fond përfundon, të implementohet një fond tjetër shtesë prej 3 miliardë eurosh deri në fund të vitit 2018.

Ishte vendosur që këto fonde të përdoren për projektet të cilat do të zhvillojnë përmbushjen e nevojave të shëndetësisë, arsimit, infrastrukturës, ushqimit dhe të nevojave tjera të refugjatëve sirianë në Turqi.

Turqia për një kohë të gjatë njofton se BE-ja nuk po transferon me shpejtësi të mjaftueshme këtë ndihmë financiare për refugjatët sirianë dhe se pala e BE-së nuk po i përmbush detyrimet sipas marrëveshjes.

Ndryshe, Turqia është shtet i cili është vendi pritës i numrit më të madh të refugjatëve në botë. Gjysma e rreth 3 milionë refugjatëve në Turqi përbëhet prej fëmijëve. Po ashtu shuma e harxhuar e Turqisë për refugjatët, së bashku me ato të komunave dhe të organizatave civile parashihet të jetë më shumë se 25 miliardë dollarë.