Klubi bavarez nuk është i gatshëm për të paguar shumën e kërkuar nga Arsenali.
Ndonëse përflitej se transferimi i Alexis Sanchez nga Arsenali te Bayern Munich ishte pothuajse punë e kryer, klubi bavarez ka mohuar një gjë të tillë.
Bayerni nuk pranon të paguajë 100 milionë eurot e kërkuara nga klubi anglez, madje sipas presidentit Uli Hoeness një shumë e tillë është e papranueshme për një veteran.
“Të gjithë po flasin sesi duhet ndërtuar një ekip i ri dhe si do të duket Bayerni i së ardhmes”, ka thënë Hoeness për Kicker.
“Bayerni është duke transferuar lojtarë të rinj të moshave 20 deri 22 vjeç dhe përsëri po kritikohemi”.
“Nuk mund të ndërtojmë një ekip të ri duke paguar 100 milionë euro për një futbollist 29 apo 30 vjeçar. Nuk është kjo politika jonë”, ka thënë Hoeness duke aluduar në transferimin e Alexis Sanchez.
E ardhmja e kilianit mbetet ende e paqartë pasi që deri më tani ai ka refuzuar të vazhdojë kontratën me Arsenalin, e cila i skadon verën e vitit 2018.