Lideri i opozitës, Lulzim Basha, i ftuar në emisionin ‘Arena’, ka folur për listat e Partisë Demokratike në këto zgjedhje.

Ai ka folur për herë të parë për rrotacionin në bërë në lista.

Basha: Është një natë e veçantë sonte për besimtarët, nata e Kadrit, nuk mund të thuhet me saktësi por ishalla është sonte. Është nata ku Zoti dërgon kërkesat për falje dhe ai i pranon. Përfitoj nga ky rast pas sapo erdha nga darka e shtruar për iftar, u uroj të gjithë besimtarëve gëzuar Natën e Kadrit, agjërim të lehtë dhe të pranuar dhe këto ditë që kanë mbetur. Lutjet tuaja dhe sakrificat tuaja qofshin një bekim për gjithë shqiptarët.

Hila: Kthehemi në tokë, si po shkon fushata? Një fushatë ose e stilit amerikan ose mungesë pjesëmarrje, ju akuzojnë kundërshtarët tuaj.

Basha: Hera e parë që e dëgjoj. Sapo jam kthyer nga takime masive në Kukës, Lezhë dhe Shkodër. Ndërkohë ecjet në Rrëshen, Rubik dhe Mamurras u shndërruan në mitingje. Kur e krahasoj këtë me administratën e detyruar të ulet me pahir në karriget e shtrenjta të kundërshtarëve të mi politikë e kuptoj panikun dhe zilinë. Masiviteti popullor në këtë fushatë është tipar vetëm i PD dhe jo i vetmi tipar unik, është dhe tipari tjetër, e vetmja parti me plan ekonomik është PD, numri 6.

Hila: E keni ndjerë si në veri dhe jug këtë përkrahje?

Basha: E jashtëzakonshme. Është materializimi i një përkrahje që ka nisur dy vjet përpara. Masivizivimin e protestave nga jugu në veri që i ka paraprirë vendimit të madh për çadrën e lirisë, marrëveshjes së 18 majit që është fundi i republikës së vjetër dhe kësaj klime zgjedhore. Falë insistimit të qytetarëve janë marrë garancitë formale për vëzhgimin e proçesit dhe kam besim të madh se me votën e tyre në 25 qershor qytetarët shqiptarë masivisht do të përfundojnë atë që kemi nisur me 18 shkurt, marshimin drejt një shteti vërtet të qytetarëve dhe jo më të politikanëve.

Hila: Ka aludime se ndryshimi i listave të kandidatëve për deputetë që ju keni bërë ka pasur një lloj reagimi në bazën e PD.

Basha: Ka pasur vërtet, ka një shumëfishim të njerëzve në mitingjet tona. Njerëzit presin atë që është normale në ciklin politik të çdo partie në Europë, riciklim të elitave. Nuk ka kuptim të shkohet në çdo fushatë me një ekip, duhet ripërtërirë. Këtë kam bërë, kam ripërtërirë ekipin për të ripërtërirë nesër me energji të shumëfishuara shtetin shqiptar për ta vënë në shërbim  të qytetarëve dhe axhendës së qytetarëve që është ekonomia.