Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar se kushdo që prek votat e shqiptarëve do të përfundojë në burg.
Nga Kukësi, Basha kërkoi që më 25 qershor zgjedhësit t’i japin zero vota kryeministrit, Edi Rama, i cili në 4 vjet mendoi vetëm si të pasuronte veten dhe jo për të përmirësuar ekonominë e shqiptarëve.
“Dita e fitores po vjen. Dita e shpagimit për 4 vite terror, 4 vite diskriminim, 4 vite përbuzje, 4 vite ndasi krahinore marrin fund të dielën me votën tuaj. Hiqni duart nga vota e kuksianëve, hasjanëve dhe tropojanëve. Ju pret burgu i pamëshirshëm. Asgjë nuk e ndal fitoren tonë ditën e diel”,- deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Kryeministri Rama nuk ka lajmëruar takim elektoral ditën e sotme.
Situata në qeveri ndërkohë nuk duket e qetë.
Ministrat teknikë të Partisë Demokratike kanë shkarkuar një sërë drejtuesish të institucioneve në varësi për pjesëmarrje në fushatë elektorale në orarin e punës. Ministri i Brendshëm ka shkarkuar një oficer të gardës së republikës, ndërsa Ministri i Drejtësisë, disa drejtorë burgjesh.