Një ditë pas hapjes së 400 metrave të parë të “Bulevardit të ri”, ndonëse paraditja shënoi temperatura të larta, qytetarët nuk kanë hezituar të shkojnë të shohin nga afër atë çfarë Bashkia e Tiranës ka bërë, pikërisht në atë segment që vite më parë shërbente si stacion treni.

“Mua po më bën një përshtypje të jashtëzakonshme, sepse Tiranën e mbaj mend që nga Pazari i vjetër. Qenka një mrekulli e paparë për mua në 67 vite jetë. U kënaqa, u çlodha, erdha enkas për të parë vetëm këtë. S’ka gjë më të bukur”, tha një qytetar.

“Ne jemi shumë të kënaqur për moshën që kemi, i kemi kaluar të gjitha brezat. Por këta që bënë këtë kanë arritur të bëjnë një gjë të mirë, që ta gëzojmë edhe ne. Më pëlqen sepse mund të dalë edhe shëtitje, e nuk më vritet këmba. Ç’të duam më? Këto ka edhe bota, s’ka më shumë”, tha një grua e moshuar.

“Sot mora vajzën edhe dola për të parë bulevardin, sepse dje nuk munda dot. Është një kryevepër, s’kam çfarë të them tjetër. Shumë gjë e bukur për mua”, tha një tjetër grua.

Ndonëse 400 metrat e parë u hapën në funksion të parkingut nëntokësor, ato do të shërbejnë si hapësirë rekreative për qytetarët. Faza e dytë parashikon që të përfundojnë edhe 900 metrat e tjerë të “Bulevardit të ri” brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2018. Dhe në fund të këtij viti është parashikuar të përfundojë i gjithë bulevardi, në një gjatësi prej 1.9 km./ Top Channel