Banorë të Kisella Vodës, të cilët jetojnë në bulevardin “Serbia” deri në rrugën “Hristo Tatarçev” protestuan kundër punimeve ndërtimore që po zhvillohen në këtë pjesë. Ata akuzojnë qytetin e Shkupit se ka bërë ndryshime në planin për ndërtimin e rrugës pas çka, siç thonë banorët, do të bllokohen hyrjet e rrugicave në të cilat janë të vendosura shtëpitë e tyre.

“Plani i parë që u prezantua, kur edhe u fotografuan dhe e vendosën tabelën ishte e qartë se të gjitha rrugët këtu 1, 11 dhe të gjitha të tjerat do të lidhen me qarkoren që duhej të ndërtohet. Banorët nuk kërkojnë asgjë tjetër, nuk përzihemi në politikë por vetëm kërkojmë të na mundësohet që rrugët të kenë qasje në qarkore”.

“Unë e di se çdo investues kur ndërton diçka duhet të vendos tabelë dhe plan. Këtu ishte Koce Trajanovski, i sqaroi gjërat shpejt e shpejt, 100 metra lart e poshtë, ekskavatori nisi të punoj dhe ja tani pasojat. Si do të veprojnë më tutje nuk e di, njerëzit janë të revoltuar. Por, edhe nëse ndërtohet duhet të ketë vend ku të kalojnë zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë”.

Të revoltuar me ndryshimet në planin për ndërtim, banorët thonë se për çdo ditë do të dalin në rrugë dhe do të bllokojnë punën e investitorëve.

“Thjesht, kemi problem. Nuk ka mbyllje të rrugëve, çdo ditë do të dalim në rrugë, nuk do të lejojmë sepse ne nuk kemi asnjë qasje deri në shtëpitë tona. Rrugët nga mbrapa janë shumë të ngushta, gjithashtu në këto rrugë ka dy firma që shpërndajnë mall, si do të futen ato, çfarë do të bëjmë ne, si do të funksionojmë”.

Nga Qyteti i Shkupit qetësojnë banorët e Kisella Vodës dhe thonë se me realizimin e këtij projekti nuk do të mbyllet asnjë rrugë dhe asnjëri nga banorët e kësaj pjese nuk do të mbetet pa qasje në shtëpitë e tyre. Me këtë projekt, Qyteti i Shkupit po bën zgjerimin dhe rikonstruimin e bulevardit “Serbia” deri në rrugën “Hristo Tatarçev”. Ndërsa, në fund të këtij bulevardi do të ndërtohet qarkore e re./Alsat-M