Reformat në gjyqësor dhe rregullimi i marrëdhënieve me fqinjët, sipas analistëve, do të jenë ndër reformat urgjente afatshkurtra dhe afatmesme të udhërrëfyesit me qëllim të heqjes së rekomandimit të kushtëzuar dhe fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Edhe pse Qeveria e mban akoma të fshehur planin aksional, analisti Mitko Gaxhovski vlerëson se aktualisht vëzhgohet situata për mundësinë e stabilizimit të gjyqësorit.
Është shumë i fuqishëm intensiteti i kthimit në funksion të sistemit të drejtësisë në Maqedoni dhe në afat të shkurtër do të shikohet si të stabilizohet gjyqësori që të mundet shteti i së drejtës të funksionojë pa pengesa dhe në bazë të saj të mund të funksionojnë edhe segmentet tjera të shoqërisë. Shohim se procese që kanë qenë të penguara për shumë vite në të kaluarën u shpenguan për një kohë të shkurtër dhe ka përparim në këtë fushë. Fqinjët tonë janë shumë të rëndësishëm për progresin tonë në eurointegrimet- tha analisti Mitko Gaxhovski.
Sipas analistit Mersel Bilalli, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe do të zgjidhjet në bashkëpunim me opozitën varësisht momentit politik, pa qenë pjesë e definuar e planit aksional.
Unë mendoj se çështja e ligjit për gjuhën do t’i lihet momentit politik me qëllim që opozita të mos e bllokojë. Tani urgjent çka duhet të bëhet është krijimi i klimës dhe disponimit pozitiv për zgjidhjen e problemeve në radhë të parë me fqinjët. Psh. së shpejti do ta kemi marrëveshjen dhe Bullgarinë dhe krijimi I një klime pozitive në raport më Greqinë. Në aspekt të brendshëm me siguri se kemi shumë punë duke filluar nga gjyqësori, administrate dhe luftës kundër korrupsionit të cilët do të sistematizohen dhe brenda 6-7 muajve duhet të operacionalizohen– tha analisti tjetër Mersel Bilalli.
Plani aksional për reformat urgjente do të jetë gati në 1 korrik kurse pikat e tij, sipas kryeministrit Zoran Zaev bazohen në Marrëveshjen e Përzhinës, vërejtjet e grupit të ekspertëve të Rajnhard Pribesë, Marrëveshjen e Ohrit, dhe Raportet e KE-së për progresin e vendit./alsat-m