Do të ishte kosto tepër e lartë për qeverinë nëse tani merret me projektin Shkupi 2014. Ministri i kulturës Robert Allagjozovskit tha se kjo çështje tani nuk është prioritet, por thotë se do të kërkohet zgjidhje afat-gjate me një revizion të bërë paraprakisht.

 Ne si Ministri e Kulturës thamë se do të bëjmë një konkurs ndërkombëtar për zgjidhje afatgjata, si ta trajtojmë projektin “Shkupi 2014 “. Ne do të bëjmë revizion ku qytetarëve do tu japim qasje në situatën, se cila është kostoja e këtij projekti, cilat janë karakteristikat teknike, sa cilësor është materiali me të cilin është ndërtuar dhe cili është çmimi i mirëmbajtjes së këtyre objekteve – deklaroi Robert Allagjozovski, Ministër i Kulturës.

Qeveria e re ka siguruar disa herë se koha e monumenteve dhe fasadave tashmë ka mbaruar. Edhe Kryeministri Zoran Zaev në paraqitjen e tij në televizionin publik tha se intervenime të mëdha në këtë projekt nuk do të ketë, por do të donte që ta “zhveshë” të paktën një fasadë.

Gjatë vizitës në Greqi, shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov para gazetarëve grekë tha se nuk do ketë monumente të reja dhe riemërime.

Ndryshe një hulumtim i BIRN-it ka treguar se projekti “Shkupi 2014” ka tejkaluar shumën 680 milionë euro, edhe atë 430 milion për ndërtesa, 57 për garazhe në kate, mbi 30 milionë euro për skulptura, sheshe dhe fasada si dhe 8 milion për ura. Projekti u përball me kritika të shumta në publik, por pavarësisht kundërshtimeve qeveria e mëparshme e udhëhequr nga Nikolla Gruevski vazhdoi ta realizojë me ritëm të përshpejtuar./alsat-m