Një aksident në punë i ka marrë jetën një shqiptari me iniciale M.H. mëngjesin e sotëm në Itali. Siç raportojnë mediat lokale, ngjarja ka ndodhur rreth orës 8:10, në komunën Berbenno, në sheshin jashtë kompanisë “Valtecne”.

Viktima, M.H., 36 vjeç, me banim në komunën Desio, dhe shoferi i një kompanie me zyra qendrore në Brianza, ishte i impenjuar gjatë paradites duke ngarkuar në kamion, me ndihmën e një vinçi të vogël dhe një kontenieri, ashkla dhe materiale të përpunimit të mbeturinave të hekurit, prodhuar nga “Valtecne”.

Sipas raportimeve paraprake, shqiptari u aksidentua pasi kishte ngarkuar kontenierin, duke ngecur mes kontenierit dhe kamionit. Ai vdiq në vend. Identiteti i plotë i viktimës nuk është bërë ende i ditur nga mediat lokale.