Të paktën 40 persona kanë humbur jetën, ndërsa 43 janë lënduar në përleshjet në qytetin Bria në Republikën Qendrore Afrikane, një ditë pasi që është nënshkruar marrëveshja për armëpushim mes palëve kundërshtare.

Një burim anonim nga forcat e sigurisë theksoi se përleshjet kanë shpërthyer mes pjesëtarëve të milicisë kristiane Anti-ballaka dhe ish-luftëtarëve të Selekës.

Dhuna ka shpërthyer një ditë pasi që Qeveria e RQA me grupet kryengritëse nënshkroi marrëveshje për armëpushim urgjent, me ndërmjetësim të komunitetit katolik Sant Egido, gjatë bisedimeve pesëditëshe që janë mbajtur në Romë.