Nga Arian Galdini
Po e nis duke thënë e shkruar se unë dyshoj e gjykoj se Ata pra KM + LEV (Lal Er Veliaj) + Oligarkët, kanë një axhendë të mirëmenduar prej kohësh hap pas hapi dhe ndaj janë shumë hapa para nesh.
Ata mund të kenë disa plane alternative
a) Mund të kenë thjeshtë planin që duke kërcënuar Teatrin Kombëtar me prishje, të tërheqin vëmendjen dhe të kalojnë pa zhurmê Ligjin Antikushtetues dhe skandaloz, korruptiv dhe klientelist që kanë miratuar për përvetësimin nga një privat të Pronës Publike e kësisoj të legjitimojnë e realizojnë ngritjen e Kullave… E dyshoj këtë sepse LEVa (Lal Er Veliaj) përsërit papushim se asnjë cm nuk do të preket nga trualli i Teatrit Kombëtar…
Këtë konçension që kinse u bën artistëve e aktorëve e shet si një fitore të madhe për ta duke i kthyer ata në Kufitarë trualli.
KM dhe LEVa mund të mos kenë qëllim sipas kësaj mundësie që ta prishin TK, por thjesht synojnë të shkasin taktikisht blerjen e terrenit publik nga Privati dhe ndërtimin e Kullave në atë hapësirë që ai zotëron + hapësirën publike që po ia jep Qeveria me Ligj Parlamenti. E gjithë loja ka rrezikun hileqar që Privati Fusha ti ndërtojë Kullat e planifikuara në atë truall që e ka të zotëruar e premtuar me ligj. Kësisoj TK të mos prishet dhe Protesta të përdoret si arsyetim publik nga Marifetçinjtë e Agjipropit Qeveri – Bashki – Oligarki, si pengesë për mosinvestimin e 30 milion eurove për ngritjen e TK të ri….
Pra Plani Privat – KM – LEVa mund të jetë mirëfilli banal dhe thjesht biznes i qartë në aq metra katror sa kanë…
Prishja e TK, mosprishja e TK, 30 milion eurot e kinse TK të ri, gjithçka janë lojë e tallje publike për një grusht miliona më shumë në ato Kulla që do ngrihen aq sa do ngrihen, në aq truall sa do ngrihen…. Ky është dyshimi im parësor…
b) Plani KM – LEVa – Oligarki mund të jetë edhe më mizor e më krimnal. Ata mund ti kenë sytë dhe qëllimet tek prishja e TK dhe ngritja e një TK të ri, sepse mendësia e tyre fashistoide dhe musoliniane i bën ata të rendin pas megallomanisë qê të mbeten në histori nëpërmjet arkitekturës. Nga ana tjetër eksperimenti i tyre është edhe si inxhinieri sociale. Duke i kthyer artistët në Kufitarë Trualli, ditën që KM – LEVa – Oligarkia do çojnë fadromat dhe policinë për të prishur TK, do ta shfrytëzojnë për ta bërë të plotë dramatikën e ngjarjes që në fund, e gjithë shoqëria ta ndjejë prishjen e TK si pushtim. Pushtimi i TK do të ishte edhe akti i fundit i instalimit të sundimit me dorë të hekurt të kësaj Klike Barbare.
Pushtimi bëhet i plotë kur Artistët janë katandisur në Kufitarë Trualli…
Prandaj unë propozoj që ne si shoqëri, artistët më së pari, të dalim nga ky ngërç ku na kanë zhytur…
Ne nuk jemi Kufitarët e Truallit të Teatrit Kombëtar.
Ne jemi publiku, ne jemi shoqëria, ne jemi e drejta, ne jemi alternativa.
Ndaj le të propozojmë:
1. Ti kêrkojmë Presidentit të Republikës që ta kthejë mbrapsht e ta refuzojë përbuzshëm Ligjin e TK si një Ligj Antikushtetues, skandaloz, korruptiv dhe klientelist.
2. Të kërkojmë Rezoluta nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga Këshilli Bashkiak i Tiranës ku të ndalohet ndërtimi i Kullave rreth e qark Zonës së TK.
3. Përtej Peticionit për Mbrojtjen e TK, të nisim Thirrjen dhe Angazhimin Publik për sigurimin e buxhetit për një Teatër të ri Kombëtar dhe gjithashtu e njëkohësisht rikonstruktimin dhe kthimin e TK aktual në Muze.
Ka dy alternativa:
a) RTSH mbledh 12 milion euro në vit nga 100 lekë te reja taksë që ne paguajmë për të. Jam i sigurtë se asnjë qytetar shqiptar nuk do të ankohej nëse për 2 apo 3 vjet do të paguanim një taksë vjetore prej 200 apo 300 lekësh të reja për të ndërtuar një TK të ri modern e madhështor.
b) Aktorët dhe artistët mund të nisin nismën publike: Qytetarët paguajnë 5 bileta paradhënie për TK. Aktorët dhe artistët do të japin 5 shfaqje falas pasi tê ndërtohet TK i ri.
Kjo nismë do tê na nxirrte nga ngërçi i tê qenurit Kufitarë Trualli, do frymëzonte dhe angazhonte të gjithë shoqërinë e qytetarët dhe do të ndalte e bllokonte çdo plan diabolik të Klikës KM – LEVa – Oligarki.
Kaq për sot.
Loading...