Bashkim Aliu

Për çdo vit, me datën 8 Mars, është e zakonshme të ushtojnë thirrje për domosdoshmërinë e respektimit të gruas, kthimin e vendit të saj në shoqëri, të vihen lartë në agjendë të qeverive, partive politike dhe institucioneve tjera të sektorit publik dhe civil, përpjekjet për mundësi të barabarta mes gjinive dhe të dënohet çdo lloj diskriminimi, në veçanti diskriminimi në baza gjinore. Me këtë rast, nuk pushojnë sulmet e ashpra dhe fjalimet e zjarrta për dënimin e padrejtësive të cilat i janë bërë gruas gjatë historisë, me theks të veçantë, ato që, sipas shumë gojtarëve, janë bërë në emër të fesë dhe bindjeve fetare, të cilat, çdo herë sipas tyre, gruan e kanë diskriminuar për atë se ka qenë femër, e kanë nëpërkëmbur dinjitetin e saj, dhe nuk kanë hapur rrugë para saj që të ngritet në nivelet e duhura të shkollimit, punësimit dhe participimit në segmente të ndryshme të jetës publike. Por, sa për ta hekur merakun, këto thirrje nuk bëhen vetëm nga gratë, në fakt, më të zëshëm për të drejtat e grave dhe emancipimin e tyre, si dhe sulmimin e gjithë atyre që e diskriminojnë gruan, janë shumë burra, të cilët, për agjenda të caktuara, këtë e pozicionojnë lartë në agjendat e tyre politike. Duke uluruar për të drejtat e grave dhe denoncimin e padrejtësive që janë bërë ndaj saj, ata tentojnë të arkëtojnë pikë politike për karierën e tyre, si dhe të shiten demokratë e përparimtarë para qarqeve të caktuara, të cilat ata i kanë target. Këtë e bëjnë edhe në raste të ndryshme, gjegjësisht, kur grupe të cilat në opinion sot cilësohen si grupe minore të margjinalizuara dhe të diskriminuara në shoqëri, siç janë pjestarët e komunitetit LGTB, organizojnë ndonji paradë, aktorët e ndryshëm politik vrapojnë të thonë ndonji fjalë dhe të bëjnë foto me ta, që të tregojnë se sa të interesuar që janë për t’i avansuar të drejtat e grupeve minore të margjinalizuara në shoqëri dhe zotohen se të drejtat e këtyre grupeve do të jenë nga pikat e programeve të tyre qeveritare. Sidoqoftë, shoqëritë tona vlojnë nga organizata dhe individë të cilët veten e prezantojnë si “luftëtarë” për të drejtat e grave dhe të grupeve tjera të margjinalizuara në shoqëri.

Mirëpo, askush nuk është kundër dhe nuk mund të ngritet kundër përpjekjeve reale për avansimin e të drejtave të grave, dhe as që është e logjikshme të protestohet kundër atyre që sinqerisht mundohen për ta luftuar diskriminimin e grave në shoqëri. Por, ajo që duhet të nënvizohet këtu në veçanti, është se lëvizjet e këtilla, e poashtu edhe individë që e promovojnë veten si “luftëtarë për të drejtat e grave”, manipulojnë rëndë me publikun kur diskriminimin e grave e lidhin me bindjet fetare, gjegjësisht fajtor kujdestar për këtë gjendje të grave, e piketojnë fenë, apo thënë më saktë Islamin. Sipas shumë prej tyre, Islami me ligjet dhe mësimet e veta që burojnë prej para disa qindra vitesh e më tepër, dhe që vijnë nga një ambient i vrazhdët, siç është shkretira e Gadishullit Arabik, e paska dëmtuar rëndë gruan dhe paska penguar zhvillimin e saj në shoqëri. E gjithë kjo, nuk mund të kuptohet ndryshe, pos një kampanjë e egër kundër Islamit, një mllef ndaj besimit, që shprehet përmes sulmeve gjoja për diskriminimin e grave, ngase nga narrativi i tyre, kupton se ata janë të paditur në çështjet e fesë, nuk kanë njohuri burimore për qëndrimin e Islamit ndaj grave dhe të drejtave të tyre, nuk kanë konsultuar literaturë burimore islame për çështjet e këtilla të ndieshme dhe serioze, por thjeshtë, nga ajo që shprehin, kupton se gjërat i kanë me të dëgjuar, ose, të bazuara në burime të shtrembëruara, joobjektive, apo edhe antiislame. Është tragjikomike, kur dëgjon apo lexon prej tyre se si i ngatërrojnë mësimet islame me Kanunin e Lekë Dukagjinit, gjegjësisht, disa gjëra që e diskreditojnë gruan, ia mveshin Islamit, ndërkaq Islami energjikisht e lufton atë mënyrë të trajtimit të gruas, distancohet nga ajo dhe e mbron gruan. Në fakt, disa nga ajo që ata ia mveshin mësimeve islame, gjindet në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe nuk ka të bëjë kurgjë me Islamin.

140-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, test…

Shënimi i 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, kaloi në shenjë të sjelljes jo të hijshme të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ndaj mbesës së Mehmet Pashë Derallës, të cilën e largoi me fuqi nga foltorja. Burri karshi gruas. Burri, në cilësi të kryeministrit, del në foltore dhe e merr rolin e rendmbajtësit, dhe e largon një grua, mbesë e një veprimtari me bagazh të pasur për çështjen kombëtare, dhe e largon nga foltorja.

Se ky veprim është i pahijshëm, nuk ka diskutim, dhe se nuk bëhet fjalë, apriori, se dënohet sjellja e këtillë ndaj pasardhëses së një veprimtari të shquar të çështjes kombëtare, por ndaj një femre, nuk është e diskutueshme. As që mund ta arsyetoj këtë sjellje, alibi i disave se është shkelur protokolli. Protokolli mund të të shkilet, por, a thua kjo e justifikon një kryeministër të sillet në këtë mënyrë me këtë grua?! Me siguri se jo. Por, ajo që shqetëson dhe që duhet të ngritet si pyetje është: Ku janë burrat e 8 Marsit? Ku janë ata që aq fuqishëm e ngrenë zërin për të drejtat e grave? A thua kjo që ndodhi me rastin e shënimit të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, nuk është arrogancë dhe veprim skandaloz ndaj një femre? Mos vallë ajo grua ishte mashkull me pamje femre?! Po edhe mashkull të kishte qenë, kjo sjellje nga një kryeministër, nuk justifikohet. Ku janë aktivistet e të drejtave të grave, feministet e palodhura që  ia “kanë kushtuar jetën e tyre” kauzës së grave? Ku janë ato oratore të shkëlqyeshme që aq me elegancë dhe kujdes i mbrojnë të drejtat e grave dhe kërkojnë prej teologëve të reflektojnë pjekuri, fleksibilitet, përgjegjshmëri dhe emancipim kur të flasin për të drejtat e grave? Kërkojnë, çdo herë sipas tyre, teologët të dalin nga disa shabllone të vjetëruara, dhe të kenë qasje moderne iluministe ndaj gruas dhe të drejtave të saj. Po ku u tretën të gjithë këta?! Pse nuk reaguan në formatin adekuat për një gjest të këtillë?! Jo, ndaj këtij gjesti nuk mjafton reagimi i çfardo formati, por, duhet të jetë i formatit adekuat. Ku u fshehën të gjithë këta, pse nuk e ngrenë zërin në mënyrën e duhur ndaj kësaj sjellje jo të hijshme ndaj një femre?

Pyetja tjetër është: Çka do të bënin këto palë, sikur kjo të ndodhte nga ndonji hoxhë? Nga mënyra e veprimit të tyre, mund të konstatohet me lehtësi se ata nuk do t’i zinte gjumi i natës duke thurrur fjalë për të drejtat e grave dhe duke e dënuar këtë sjellje të hoxhës. Do të qanin e vajtonin për gratë dhe për diskriminimin që i bëhet në emër të fesë. Do të bërtisnin me sa zë që kishin për domosdoshmërinë e konvertimit të mentaliteteve të vjetëruara që bazohen në mësime që burojnë nga lindja dhe kohët e vjetra. Po, kështu ata do të thonin pa hezituar dhe pa patur fare frikë, ngase, sipas tyre, ata janë njerëz që jetën e tyre ia kanë kushtuar kauzës së drejtë të mbrojtjes së të drejtave të grave. Por, ja, kur kjo sjellje e dënueshme ndodh nga dikush tjetër, reagimet janë të vakta, jo adekuate dhe jo në formatin e duhur.

 

Beduini që gaboi në xhaminë e të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të

Sikur kryeministri i Kosovës ta dinte pse është musliman dhe ta kishte lexuar jetëshkrimin e të Dërguarit të fundit të Zotit, Muhamedit, paqja e Zotit qoftë mbi të, me siguri se nuk do të vepronte kështu me një grua, e cila ta zëmë se ka gabuar, ngase e ka thyer protokollin. Kjo, ngase në jetëshrimin profetik, është mjaft i njohur rasti i beduinit i cili erdhi në xhaminë e profetit në Medine, dhe derisa ai ishte duke ndejtur me shokët e vet në një kënd të xhamisë, beduini në fjalë, hyri dhe shkoi pranë një shtylle dhe urinoi. Disa shokë të të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, deshën ta sulmojnë fizikisht për këtë veprim, por i Dërguari i Zotit, i ndaloi, dhe pasi beduini përfundoi, e thirri dhe me fjalë të buta e këshilloi duke i thënë:”Xhamitë nuk janë vende urinimi, por vende ku adhurohet Zoti”. Po,  në këtë mënyrë u soll Profeti Islam ndaj një njeriu që gaboi. Ky ishte mësuesi më i denjë i njerëzimit, i cili dinte si të sillet me të gjithë, edhe me ata që gabonin, edhe me ata që nuk dinin, edhe me ata që e kundërshtonin, edhe me ata që e mbështesnin. Po këtë sjellje e tregoi edhe ndaj një gruaje plakë e cila duke mos e njohur se kush është, e porositi të ketë kujdes ndaj një personi me emrin Muhamed, i cili është paraqitur, dhe sipas plakës, i mashtron njerëzit. I Dërguari i Zotit, nuk e kapi për krahu dhe ta përplasë për toke gruan të cilës i ndihmoi, e ajo e shau, por me fjalë të buta, i shpjegoi se kush është. Ja, kjo është sjellja e Profetit Islam ndaj grave, burrave, dhe shtresave tjera të shoqërisë. Ky nuk jetoi në shekullin XXI, dhe as në shoqëritë moderne të këtij shekulli, por jetoi para 15 shekujsh në lindje, atë që shumë e përmendin me ironi. Ai nuk  e festoi 8 Marsin, por dëshmoi me fjalët dhe sjelljen e tij se si duhet respektuar gruaja dhe si duhet trajtuar personi që gabon.

E ju, ju burrat e 8 Marsit, ku u tretët?!

Loading...
  ga('create', 'UA-63475902-1', 'auto', {'name': 'newTracker'});  // New tracker.   ga('send', 'pageview');   ga('newTracker.send', 'pageview'); // Send page view for new tracker.