Fadil Lushi

Ata që merren me studimin e botës shtazore thonë se elefanti është kafshë gjitare e vise-ve të ngrohta të Afrikës e të Azisë…, ka trup shumë të madh e të rëndë, me veshë të gjerë, me feçkë të gjatë dhe me dhëmbë të mëdhenj e të kthyer. Në këtë shkrim nuk do llafosim për elefantin e Afrikës a të Azisë, as për atë të kopshtit zoologjik të Shkupit, e as për atë të “Mbretit të Shqiptarëve, Lartmadhëria e Tij, Leka Zogu, i cili derisa jetonte në Spanjë në nëntor të vitit 1967, i dhuroi një të tillë guvernatorit të Kalifornisë dhe presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Regan”. Nuk do të shkruajmë as për mbetjet e fosileve të elefantit të ngordhur prej rreth tetë milionë vjetësh më parë!?…, nuk do ta interpretojmë as opinionin e ministrit të Kulturës të Republikës së Maqedonisë, sa i përket zbulimit të madh paleontologjik që ndodhi disa javë më parë.

Neve na mbetet ta parafrazojmë atë rrëfenjën popullore ku lakohet ajo meseleja për mbretin, fshatarët dhe për “elefantin zullumqar dhe skajshmërisht zevzek”…, një mesele ku ka pak dashuri e moral dhe shumë ironi therëse e të hidhur. Dikur moti një mbret u kishte dhuruar disa fshatarëve një elefant…, por ama elefanti si elefant, në vend se t’u ndihmonte njerëzve, kishte bërë shumë dëme në arrat e tyre, andaj  fshatarët kishin vendosur që të shkojnë te mbreti për t’ia shpjeguar dertet e tyre. Fshatarët kishin emëruar kryeplakun e katundit si prijës, i cili do t’i rrëfehej mbretit për shqetësimet e tyre. Por ama gjatë rrugëtimit, numri i fshatarëve kishte filluar pak nga pak të shterej…, dhe në fund kryeplaku kishte mbetur vetëm. Kur u fut në oborr, mbreti e pyeti: “Ç’hall të solli këtu?”. Kryeplaku i kishte thënë: “Lartmadhëria Juaj, bashkëfshatarët e mi, kërkojnë prej jush t’ua sillni edhe dy elefantë, mundësisht të jenë zevzekë dhe mundësisht sa më shpejt!?…, nëse jo, atëherë edhe këtë që e kanë do t’ua kthejnë prapë, sepse elefanti nuk jeton dot vetë e në veçanti pa seks”. Se ç’vendim kishte shpallur mbreti, karshi kërkesës së kryeplakut dhe fshatarëve, asnjëherë nuk u mor vesh. Andaj neve do të na lejohet që këtë elefant “zevzek dhe zullumqar ta përjashtojmë” nga hapësirat e këtij opinioni për gazetë dhe në vend të tij të vendosim “presidentin e një dovleti”, i cili në vijimësi e ndien lezetin e nënshtrimit.

Miku im i dashur, mund të përfytyrosh një milet se si mund të jetojë në një qymez, që ka hapësirë sa një bythëvend. Këtë bythëvend mund ta perceptosh edhe si një lagje ose një zonë të veçuar ku vegjeton një lëmsh komunitetesh me xhamitë, kishat dhe teqetë e tyre. Aty vegjeton edhe një dovlet i vockël, i cili njihet me zaptimin e një territori të Gadishullit Ilirik, një dovlet që ka një histori, gjuhë, emër dhe kishë të sajuar, një shtet që parapëlqen të jetë qiellor a edhe biblik! Pjesa dërrmuese është e zhgënjyer e të tjerët fare pak të lumtur Miku, mund të përfytyrosh, shqiptarin se si duket me atë fiqirin, shpirtin dhe ekonominë e tij toptan të çekuilibruar. Mund ta imagjinosh miletin shqiptar se si ndihet në prani të një president shteti jo konsensual, një president që mëton t’i ngjajë elefantit, një president i cili për inat do të denigrojë a do të shkelë mbi të gjitha rregullat e logjikës dhe arsyes së shëndoshë, sidomos kur është fjala për interesat jetësore të shqiptarëve…, një kryepar shteti që hiqet i zgjuar, që hiqet si mik i rëndë, si shpëtimtar i ligjit themelor të shtetit…, një president i cili edhe “përtej dëshirës së tij”, nuk figuron në rrethin e interesave të shqiptarëve…,  një president që sabah e aksham, hiqet sikur i di të gjitha punët e diplomacisë, të shtëpisë dhe ato të mëhallës, sikur është tamam në mendje, sikur nuk sheh se është i marrë, sikur nuk do të pajtohet me të vërtetën, se vuan nga çrregullime të rënda psikike, në vazhdimësi kundërshton ta braktisë kryeminderin e shtetit, por që assesi nuk pranon që të shtrohet për kurim…, një president që nuk të lë ta “zhvarrosësh të vërtetën e varrosur” për ta përdorur si provë dhe për ta bindur se shqiptari në këtë qymez jeton denbabaden.

Fatkeqësisht, ky president po edhe profesor për shkencat politike, dikur moti mori edhe disa vota deliberative nga shqiptarët. Këto vota, pavarësisht numrit të tyre, edhe më shumë e ushqyen po edhe e trashën shovinizmin e tij dhe të urdhërdhënësve të tij. Pikërisht ky është presidenti që detyroi shqiptarët të bëhen rezil e maskara mes vete, në kohën kur nuk duhej t’i jepej vota për president shteti. dhe përtej kësaj, shqiptarët vazhdojnë ta falin a t’ia japin votën e tyre deliberative “mikut” që ta ha edhe kocin edhe mishin! Ky president, në emër të popullit të tij biblik do rrëmbejë në vijimësi të vërtetat e pamohueshme ndaj shqiptarëve, do të shkelë mbi ato njësoj si me shkelë mbi miza…, do të mundohet që të mos lërë asnjë gjurmë. Këtij vendi të populluar me shqiptarë i duhet për president “një aristokrat i fjalës dhe i mendimit politik…”, një kryepar i cili do të vlerësohet si një politikan me profil europian dhe i moderuar. Dhe kur do t’i mungojnë këto standarde dhe kritere, atëherë ai patjetër do t’u nënshtrohet urdhrave të adoleshentëve, diletantëve, daullexhinjve, surlexhinjve dhe xhelatëve politikë. Ky president, tok me urdhërdhënësit e tij, identitetin dhe autoktoninë e shqiptarëve do ta diskutojë bythëprapthi…, duke e vënë në dyshim prejardhjen tonë…, ky dhe të tjerët do kundërshtojnë çdo gjë që lidhet me historinë tonë…, dhe, çuditërisht, ne shqiptarët e Maqedonisë gjithë këtë nënçmim, sikur e heshtim kalimthi a në mënyrë të tërthortë. Ky president i “dovletit biblik dhe qiellor” vazhdon ta ushqejë inatin e tij prej provincialisti duke kundërshtuar të shënojë firmën për Ligjin e gjuhës shqipe. Dhe neve, çuditërisht, hiç nuk na ha palla…, ama hiç nuk e prishim rehatllëkun dhe agallëkun tonë politik…, sikur hiç nuk kemi nevojë që ta trazojmë mendjen.., dhe për një moment mbetemi në dilemë, thjesht, as për dynja e as për ahiret, njësoj si ajo shprehja e shkodranit, që mes të tjerash thotë: “Me sa duket ne (shqiptarët) mbetemi viktimë e përhershme e së vërtetës, si gjithmonë, që durojmë kur duhet ngutur, shpejtojmë kur duhet duruar, luftojmë dhe bëjmë potere, kur duhet ndenjur urtë dhe rrimë heshtur, kur duhet thënë açik llafi”. Ne në vend që të punojmë e mësojmë, fajësojmë të tjerët kur duhet fajësuar veten, vetadhurohemi kur duhet të na lavdërojnë të tjerët, vetëshpallemi kombi më i mençur në dynjanë njerëzore…, ndërkaq të tjerët na vënë në bisht të kavallit të Ballkanit. Në vend që të vetakuzohemi, ne ngarkojmë të tjerët me faj. Në vend që ta ruajmë, ta ushqejmë, ta zhvillojmë dhe ta pasurojmë trashëgiminë kombëtare, përfshi aty edhe trashëgiminë letrare, artistike e shkencore dhe vlera të tjera, ne i shndërrojmë toptan në tallava. Në vend që t’i rruajmë traditat tona patriotike, ne i shndërrojmë në folklore krahinash, në folk-patriotizëm prej provincializmi të egër!…, njësoj si autori i shkrimit, i cili në vend që të llafos heshtjen e tij si dhe ta sikterisë atë  “kulturën e lezetit” e të qenit i nënshtruar…, ai merret me elefantin, kryeplakun, fshatarët si dhe me presidentin me mandat të pamerituar!

Dikur moti, doktor Nevzati nga Tetova, thoshte: “Kjo puna e zgjebes është punë shumë e çuditshme…, e kruan aq shumë sa në fund të kruan ajo vetë”.

Loading...