Shkruan: Xhelal NEZIRI

Qytetari i Maqedonisë nga fshati Tanushë i Shkupit, Xhezair Shaqiri, dha dorëheqje nga posti i këshilltarit për siguri të kryeministrit Zoran Zaev. Opinioni vendor reagoi vrullshëm kur kuptoi se pikërisht ai ka marrë një post kaq të rëndësishëm në shtet.

Disa vunë në pikëpyetje relevancën dhe përgatitjen e tij profesionale për të këshilluar kryeministrin për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, e të tjerët e problematizonin të kaluarën e tij prej komandanti të UÇK-së gjatë konfliktit të vitit 2001.

Është e vërtetë se Shaqiri nuk ka përgatitje të nevojshme për të mbajtur një post të tillë, i cili është profesional dhe jopolitik. Ose, së paku ashtu duhet të jetë. Pra, postet profesionale mbushen në bazë të kritereve rigoroze që kanë të bëjnë me shkallën e shkollimit të kandidatit, rezultatet në karierën e tij dhe kapacitetet kreative që mund ta bëjnë atë të nevojshëm afër një funksionari më me peshë në vend, siç është kryeministri.

Por, hajde të shohim se kush tjetër e këshillon kryeministrin dhe ministrat tjerë në qeveri. A kanë aq kapacitet ato këshilltarë që të këshillojnë funksionarë të pushtetit ekzekutiv? Çfarë përgatitjesh profesionale kanë? A kanë arritur ndonjë sukses në jetën e tyre profesionale pa ndihmën e politikës? Sa prej tyre janë të përfshirë në kriminalitet të organizuar dhe korrupsion? Apo, thjeshtë të vlerësojmë pa emocione – a e meritojnë të marrin honorare të majme për këshillat që nuk i japin apo që askush nuk ua dëgjon?

Realiteti është ky: këshilltarët e jashtëm dhe të posaçëm, anëtarët e bordeve të kompanive shtetërore e publike, komisionet e honorareve të larta etj., përdoren nga partitë vetëm për të rehatuar anëtarë të vyeshëm të klaneve partiake. Kuptohet, nuk duhet të përgjithësohen pasi ka përjashtime të pakta.

Duhet ta themi troç se kërkojnë apo tanimë u rehatuan në institucione gati të gjithë profiterët që hodhën pak bojë në “revolucionin laraman”, një gur në protesta kundër qeverisë së Nikolla Gruevskit, shkruan një “blue print”, e realizuan një projekt, shkruan një letër publike, bënë një reagim në Facebook, morën pjesë në një tubim, e shanë ndonjë gazetar që kritikonte partinë apo e kritikuan VMRO-DPMNE-në pasi humbi pushtetin.

Është poashtu e vërtetë se Shaqiri ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe komandant që ka mbajtur nofkën Hoxha. Por, me dorëzimin e armëve dhe shpërbërjen e këtij formacioni në shtator të vitit 2001, nuk ka më as komandantë e as ushtarë. Me nënshkrimin e marrëveshjes me të dërguarin e NATO-s Piter Fejt, të gjithë komandantët dhe ushtarët u pajtuan t’i kthehen jetës civile, si të gjithë të tjerët. Ata që dëshiruan të vazhdojnë karierën ushtarake u kyçën në ushtri, polici, agjenci private të sigurimeve; një pjesë ndershmërisht iu kthyen profesionit që kishin para konfliktit; ndërkohë që një grup i vogël i udhëheqësisë së këtij formacioni u kyçën në politikë. Kishin plotësisht të drejtë të zgjedhnin pasi me marrëveshjen e demobilizimit për to parashihej edhe një amnisti e përgjithshme. Ishin qytetarë të lirë me obligime dhe mundësi të barabarta, asthtu siç është Shaqiri. Por, pa epitetin komandant.

Problemi nuk është zgjidhur me dorëheqjen e Shaqirit. Në fakt, kjo dorëheqje duhet të jetë një pikënisje e debatit dhe analizës se kush, si dhe pse emërohen në pozicione shtetërore dhe publike, ku paguhen me paratë e mbledhura nga tatimet e qytetarëve. Në demokracitë e etabluara këshilltarët kanë një rol kyç në krijimin e politikave. Ato janë ekspertë kulmorë në fushat ku veprojnë dhe me rezultatet e tyre imponohen si njerëz më të afërt të personave vendimmarrës në shtet.

Hiq anash “laramanët” e xhepave personal, pjesa më e madhe e njerëzve që protestuan kundër qeverisë Gruevski nuk dolën në rrugë ta zëvendësojnë Stankon me Petkon apo Hisenin ma Hasanin. Ato protestuan për ndërtimin e një sistem vlerash, ku çdonjëri do të vendoset në pozicion ku mund të kontribuojë më me efikasitet. Nëse vazhdon në këtë mënyrë siç ka filluar, qeveria e Zaevit dhe Ahmetit do të shuajë shpresat e njerëzve që kanë vlera, të rrinjëve që diplomojnë e specializohen dhe të gjithë atyre që kanë kapacitet të realtë të kontribuojnë ne zhvillimin e përgjithshëm.

Loading...