Gjekë Gjonaj

Shënimi  i njëvjetorit të  vdekjes së piktorit akademik nga Ulqini Rudi Gogës, organizuar  në qytetin e tij të lindjes të  premten   e kaluar  nga Shoqata e Intelektualëve “ Art Club”, ishte  i qëlluar dhe për çdo  lëvdatë.  Me këtë aktivitet, edhe pse pa pjesëmarrjen e asnjë zyrtari vendor  e pelitikani,   shoqata  tregoi se nuk harroi pa e përkujtuar anëtarin dhe njërin ndër themeluesit e saj   të shquar i cili kanë lënë gjurmë të pashlyera  me krijimet e  tij arrtistike në  fushën artit pamor.

Edhe kritikët e  tij  më të ashpër besoj se pajtohen se ai  ishte dhe mbeti një artist i veçantë, i njohur në qarqet kombëtare, i cili më tepër është nderuar e respektuar kudo tjetër më shumë se sa në Ulqin.  Megjithatë, institucionet përkatëse vendore  kam  bindjen e plotë se   në vazhdimësi janë ndierë  të  “ mërzitura” nga  krijimtaria  e tij produktive artistike e Rudi Gogës,  dhe se  nuk deshtën apo nuk ditën  të vlerësojnë  këtë pasuri artistike që la trashëgim.  Po përmendi  një fakt të dhimbshëm  kur piktori Goga  kishte planifikuar ekspozitën e tij në Gjemani dhe   nga  arka e Komunës së Ulqinit për këtë veprimtari, në të cilën  prezentohej edhe Ulqini, siç më tregoi ai, i kishin dhënë vetëm 100 euro.  Ky mosvlerësim   pa meritë i piktorit Goga në veçanti dhe i figurave të tjera të dalluara të kulturës dhe artit në shoqërinë shqiptare  është një problem  i madh  që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Këtë shqetësim  e vuri në dukje   edhe panelisti  i kësaj mbrëmje piktori  Qazim Muja  duke  pyetur: “  Sa e vërejtëm ne piktorin e mirënjohur Rudi Goga sa ishte i gjallë , sa e vërejmë dhe sa interesohemi për veprën e tij tani kur nuk jeton më, dhe a është vallë ky një shqetësim për të gjithë piktorët? Ka vallë ndonjë institucion apo ndonjë subjekt tek shqiptarët në Malin e Zi që të vërë dorë mbi këto vepra, sadopak që kanë mbetur, pa u zhdukur fare, së paku një koleksion për gjeneratat e ardhshme si dëshmi se këtu jetoi dhe krijoi vepra me vlerë një artist që i kaloi kufijtë e artit kombëtar, duke lënë pas vepra të veçanta dhe me shumë vlerë artistike, si pjesë e kulturës sonë dhe si pjesë përbërëse e atij trungut artistik gjithëkombëtar”.

Përgjigjja ime është: Shumë pak, për të mos thënë aspak!  Të bësh art ( kulturë) në Ulqin dhe në trevat tjera të banuara me shqiptarë në Mal të Zi është problem shumë i madh, pasi  pasohet nga  vlerësimet subjektive, që janë larg mendimit kritik e të saktë,  dhe se artin ( kulturën) në përgjithësi institucionet  e mbajnë të izoluar, duke mos kontribuar sa duhet  në ruajtjen e  veçorive të mirëfillta të vlerave artistike e kulturore  të cilat krijuesit  shqiptarë i kultivojnë.

Mendoj  se është e rëndësishme  që të mos zvogëlohet  rëndësia e krijimtarisë artsitike e Rudi Gogës, dhe e krijuesve tjerë të mirëfilltë  shqiptarë , por  të përshëndeten të lavdërohen  të gjitha arritjet e tyre  të shumta. Vlerësimi institucional i krijimtarisë së tyre  kulturore e, artistike e shkencore  luan një rol të rëndësishëm për kulturën  e këtij qyteti , ngaqë pranimi i  krijuesve  në përgjithësi  tregon për kulturën që e posedon një qytet, një vend.

Ulqini  në fushën e artit vërtetë ka një vlerë që quhet Rudi Goga së bashku  me krijuesit e tjerë. Andaj më shumë respekt, më shumë vlerësim për këto figura të ndritura të këtij qyteti të lashtë. Zyrtarë e pushtetarë  vendorë e qëndrorë shqiptar   mos  vazhdoni të mos çani kokën  për  doajenët e kulturës dhe të artit, apo edhe  për pjesën tjetër të intelektualëve, që kanë bërë emër jo vetëm brenda, por edhe jashtë kufijve të shtetit ku jetojnë ose kanë jetuar, duke  e bërë të njohur  Ulqinin, Anën e Malit, Krajën, Malësinë – Tuzin, Rozhajën, Plavën e Gucinë  jashtë Malit të Zi.

Duhet ta kuptojmë se vlerësimi i njerëzve të kulturës, artit e shkencës dhe çështja e emancipimit  tonë   kulturor e artistik është çështje e përcaktimit dhe zhvillimit  të identitetit tonë  kulturor pa të cilin nuk mund të  pozicionohemi  në integrimet evropiane. Mos të harrojmë  se një komb shquhet edhe për identitetin  kulturor.Dhe, po u shua ky identitet, kombi vdes.

Loading...